
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi ka prezantuar në Kuvend marrëveshjen për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë, duke theksuar modernizimin e infrastrukturës dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm.
Sipas tij projekti parashikon ndërtimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve në disa zona, përfshirë Shëngjinin, Fushë-Krujën dhe Shkodrën, si dhe investime në linjat e tensionit dhe sistemet e telekontrollit.
“Objektivat kryesore që përmban kjo marrëveshje janë rritja e sigurisë teknike të rrjetit, garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, përballimi i kërkesës në rritje për zonat me zhvillim urban, përmirësimi i treguesve të performancës, si dhe ulja e humbjeve teknike në rrjet.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashikohet realizimi i disa projekteve strategjike, siç është ndërtimi i nënstacionit në Shëngjin dhe në Fushë-Krujë, rindërtimi i nënstacionit Shkodra 2 dhe rrjetit të shpërndarës, si dhe instalimi i sistemeve moderne të telekontrollit për rritjen e efikasitetit të operimit të rrjetit”.
Sipas ministrit, vetëm në vitet 2023-2026 janë investuar rreth 32 milionë euro në katër qarqet veriore, duke përmirësuar ndjeshëm rrjetin dhe furnizimin për mbi 200 mijë banorë dhe biznese.
“Financimi që do të sigurohet prej kësaj marrëveshjeje është në vijim të një programi të gjerë investimesh dhe të rëndësishme në sistemin energjetik në veri të vendit. Është e rëndësishme që të theksoj se vetëm gjatë viteve 2023 -2026, OSHEE ka investuar rreth 32 milionë euro në 4 qarqet e veriut Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër”, deklaroi ministri në Kuvend.
Ai kërkoi votën e deputetëve për miratimin e marrëveshjes, duke theksuar rëndësinë për zhvillimin dhe rritjen e sigurisë energjetike në veri të vendit.
“Ju propozoj që ta miratoni këtë marrëveshje, pasi ka një element shumë të rëndësishëm, sidomos dhe për zonën e veriut që ka patur edhe problematika më të gjera”. (A2 Televizion)