Totalisht i verbër, gjeniu Romeo Deda tregon punën e tij në administratë

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 10:09 | Aktualitet

Romeo Deda është një dëshmi frymëzuese e fuqisë së mendjes njerëzore dhe e aftësisë për të kapërcyer kufizimet fizike përmes talentit dhe vullnetit. I njohur për memorien e tij të jashtëzakonshme, Romeo ka tërhequr vëmendjen e publikut në rrjetet sociale falë aftësisë për të identifikuar ditët e javës për çdo datë, pa përdorur asnjë formulë matematikore, por vetëm përmes kujtesës së tij të zhvilluar.

Në një intervistë në “Dita Jonë” në A2 CNN, ai tregon se kjo aftësi ka nisur që në fëmijëri, rreth moshës 11–12 vjeç, kur filloi të mbante mend detaje të jetës së përditshme me saktësi të rrallë. Më pas, ai përvetësoi kalendarin në mënyrë të plotë, duke e bërë të mundur që të përgjigjet menjëherë për çdo datë, pavarësisht sa larg në kohë ndodhet ajo.

“Unë kalendarin e kam mësuar. Përveç kësaj, unë kam edhe një sinestezi projektive shumë të avancuar, që do të thotë se ditët e javës, numrat, muajt e vitit, shkronjat e alfabetit dhe zanoret më shfaqen me ngjyra përpara syve. Kur më pyesin për data, unë shoh një larmi ngjyrash dhe kjo më jep kënaqësi. Thjesht, ngjyrat më ndihmojnë shumë edhe për memorien; sinestezia ndihmon goxha. Kjo quhet sinestezi dhe e kanë rreth 4% e njerëzve në botë”, tregon ai.

Pavarësisht mungesës së shikimit, Romeo jeton në mënyrë të pavarur dhe aktive. Ai lëviz i vetëm, punon në administratën publike dhe është shumë i angazhuar në rrjetet sociale, ku komunikon me ndjekësit dhe demonstron aftësitë e tij. Ai shprehet se kjo është një mënyrë për t’u promovuar dhe për të krijuar mundësi të reja në të ardhmen, veçanërisht në fusha si statistika apo arkivat.

“Unë punoj faktikisht në shtet; punoj dy-tre orë dhe pjesën tjetër më shumë nga shtëpia. Në fillim ka qenë e vështirë, sepse ndihesh pak i nënvlerësuar, por në Shqipëri këto janë mundësitë. Nuk është se ka shumë mundësi për këto lloj aftësish, nuk të afrohen shumë këtu. Megjithatë, nuk i dihet, sepse edhe shoqëria ndryshon dhe mundësitë mund të vijnë më vonë. Nuk i dihet asnjëherë. Këto lloj aftësish që unë kam, si memoria për data dhe numra, kanë shumë opsione për t’u shfrytëzuar, si për shembull në arkiva, në statistika, apo statistika sportive, ka plot mundësi. Por nuk është se punohet shumë për këto në Shqipëri; jashtë shtetit sigurisht që ka më shumë mundësi, ndërsa këtu ende nuk është zhvilluar kjo fushë”, thotë ai.

“Në shtet punoj me kompjuter, kryesisht me procese që lidhen me legalizimet në bashki. Puna ime e ëndrrave do të kishte lidhje drejtpërdrejt me memorien që kam, me data, statistika dhe arkiva. Unë kam një memorie shumë të mirë për numrat dhe kodet. Kjo është fusha ku mund të zhvillohem dhe jam shumë i sigurt që ka mundësi”.

Megjithëse ka hasur vështirësi dhe paragjykime të rastësishme, Romeo thekson se shoqëria shqiptare ka bërë përparim dhe se është e rëndësishme të ecet përpara pa u ndikuar nga mendimet negative. Mbështetja më e madhe për të mbetet nëna e tij, të cilën e konsideron një heroinë për sakrificat dhe përkushtimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos