“Më lër të digjem me shtëpinë, kjo është jeta ime”, zjarrfikësi mes emocionesh tregon bisedën me të moshuarën

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 08:57 | Aktualitet

Zjarrfikësi hero Jonuz Murataj ka rrëfyer mes emicionesh momentet dramatike të ndërhyrjes për shpëtimin e të moshuarës në pallatin që u dogj nga flakët pranë QSUT-së. Në një intervistë për A2 CNN, ai tregoi jo vetëm sfidën profesionale, por edhe përballjen njerëzore me situatën prekëse. 

I vetmi mision i shërbimit zjarrfikës është shuarja e zjarrit dhe shpëtimi i jetës së njerëzve. Forcat Operacionale që unë drejtoja vajtën në vendngjarje dhe panë sinqerisht një katastrofë,” rrëfeu Murataj.

Në brendësi ishte ambienti i mbushur me tym. Ishin pothuajse të gjithë banorët brenda. Zjarri fillimisht mori në pjesën e një marketi, në katin e parë, dhe u përfshi fasada nga flakët. Flakët ishin përhapur në kohë reale në pjesën veriore dhe lindore të pallatit”, u shpreh ai. 

 “Në momentin që kishim bërë pothuajse të gjithë evakuimin dhe kontrollin e shkallës, marr një njoftim nga familjarët që është mami në kat të 5-të. U shtangëm. Morëm një vendim dhe vendosëm autoshkallët nga jashtë, sepse nga brenda ishte e pamundur,” tregon zjarrfikësi. 

Momenti më i vështirë ishte përballja me të moshuarën, e cila refuzonte të largohej nga shtëpia e saj.

Kur e gjeta nënën atje brenda, mu dhimbs dhe më tha të vetmen shprehje: ‘Më lër të digjem me shtëpinë, kjo është jeta ime’,” kujton Murataj. “Aty pata një prekje emocionale. E mora për qafe dhe i thashë: ‘Nëna, ne do ndërhyjmë, shtëpinë do ta rehabilitojmë dhe ty do të nxjerrim shëndoshë e mirë jashtë.’

Pavarësisht rezistencës fillestare, zjarrfikësi arriti ta bindë.

Ajo refuzoi të dilte, por pas disa negociatash shumë të vogla… më krijoi emocionin kur më tha sërish: ‘Më lër të digjem, se kjo është jeta ime, shtëpia.’ Hoqa helmetën dhe ia vendosa,” shton ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos