Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pas seancës së sotme gjyqësore për çështjen Gërdeci ka kërkuar deklasifikimin e materialeve të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare që u zhvilluar pas tragjedisë së Gërdecit.
Sipas Mediut në këtë mbledhje krerët e Inteligjencës së vendit kanë shprehur shqetësime se mund të kishte ndërhyrje për të krijuar situata që do të pengonin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Një shqetësim të tillë, Mediu pretendon se ia ka shprehur në Bruksel edhe kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Inteligjencës së aleancës.
“Ka pasur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ka pasur qëndrime të drejtuesve të shërbimeve informative, të cilët nuk kanë përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes për të krijuar një situatë përpara se të ndodhte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Kam qenë në Bruksel, në Drejtorin e Sigurisë dhe Inteligjencës së NATO-së me drejtorin e SHIU-t dhe na është dhënë një paralajmërim që të jemi të kujdesshëm për ngjarje të jashtëzakonshme para marrjes së ftesës për anëtarësim. Zhvillimet në rajon kanë treguar që ka pasur interferenca dhe qëllime për të penguar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Po ashtu të dhënat janë specifikisht dhe me emër në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilat nuk po i deklasifikoj sot. Di që është kërkuar nga të gjithë ata që janë dënuar që të bëhet një eksperiment në raport me atë shkak pse ndodhi tragjedia. Dua t’iu kujtoj se djali i të ndjerit Deliu ka deklaruar se ka qenë nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në shtëpi dhe babai i tij nuk ka salduar asnjë karrocë brenda atyre dy orëve. Dhe flasim për një situatë ku pretendohet sipas ekspertizës amerikane se pas dy minutash nuk ka asnjë saldim efekt mbi djegien e barutit. Pra është në interes të Shqipërisë që të bëjë një vlerësim të plotë të situatës, jo në interes të Fatmir Mediut.” (A2 Televizion)