Tonin Vocaj letër vartësve për largimin: Reduktuam krimin, miliona turistë gjetën një ambient të sigurt falë jush

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2024, 14:38 | Aktualitet

Tonin Vocaj letër vartësve për largimin: Reduktuam krimin,

Drejtori në largim i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, u ka dërguar një letër vartësve të tij, duke renditur disa nga sukseset, që sipas tij, i kanë arritur bashkë gjatë kohës që ishte në krye.

“Falë bashkëpunimit tuaj të palodhur dhe përkushtimit të pashoq, situata kriminale në qytetin tonë ka njohur stabilizim të dukshëm. Ky vit ka regjistruar vetëm 8 vrasje, nga të cilat vetëm një rast ka prapavijë të krimit të organizuar, dhe 7 vrasje të zbuluara e të dokumentuara me prova të pakundërshtueshme ligjore. (Për vrasjen e ndodhur më datë 13.11.2024, po punohet nga një grup i posaçëm hetimor.) Reduktimi i krimeve në volum ka qenë i dukshëm - është e evidentuar një ulje e ndjeshme e vjedhjeve dhe e veprave penale kundër personit. Siguria në shkolla dhe lufta pa kompromis kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike ka qenë një konstante në punën tonë. Po ashtu, ky qytet është vizituar nga miliona turistë të cilët falë jush kanë gjetur një ambient të sigurt”, shkruan Vocaj.

Ai gjithashtu vë në dukje sukseset në Bashkinë e Krujës, e cila ka kaluar në juridiksionin e Policisë së Tiranës rreth një vit e gjysmë më parë. “Situata e rendit dhe e sigurisë atje është shumë më e stabilizuar se më parë, dhe kultivimi i bimëve narkotike në territorin e bashkive Tiranë, Kamëz dhe Vorë është pothuajse inekzistent. Në Bashkinë e Krujës, ky fenomen është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë”, shkruan Vocaj.

Pas miratimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, drejtori i përgjithshëm, drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve do të emërohen përmes një procesi testimi dhe vlerësimi. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, u emërua këtë e enjte, Elton Alushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos