Protesta e opozitës, Policia del me njoftim zyrtar: 5 policë të plagosur, 11 të arrestuar dhe 45 molotovë të sekuestruar

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 11:38 | Kronikë

Protesta e opozitës, Policia del me njoftim zyrtar: 5 policë të

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 11 persona dhe ka proceduar penalisht 15 të tjerë pas protestës së zhvilluar më 17 prill 2026, gjatë së cilës u përdorën molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Mes të proceduarve janë edhe dy të mitur.

A2 CNN mëson se në pranga ranë shtetasit Klemend Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Igball Domi, Semi Bici, Bardhyl Ndou, Gentjan Tuga, Edison Shyti, Sokol Bajraktari dhe Ernest Kapo. Këta akuzohen për disa vepra penale, përfshirë goditje ndaj punonjësve të rendit dhe shkatërrim prone.

Sipas njoftimit të Policisë, 5 efektivë u dëmtuan gjatë përplasjes me protestuesit dhe morën mjekim në spital. Në vendngjarje u sekuestruan 45 molotovë të përgatitur për përdorim.

Njoftimi i policisë Tiranë

Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 17.04.2026, arrestohen në flagrancë 11 shtetas.

Procedohen penalisht 15 shtetas të tjerë.

Gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos