Dy orë pas arrestimit te Kthesa e Kamzës në kryeqytet dhe pasi është njohur me masën e sigurisë, ish-Presidenti Ilir Meta ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’u transferuar në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”.
Për mediat foli pak pas takimit me Metën, avokati i tij mbrojtës Genci Gjokutaj, i cili sqaroi se vendimi i prokurorit të posaçëm Erion Çela përfshin akuza për tre vepra penale, raporton A2.
“Nuk e kam lexuar akoma vendimin e Erion Çelës. Por është për tre vepra penale. Janë tre akuza. Është korrupsion, pastrim i produkteve dhe diçka pasurore. Ishte një takim si çdo herë tjetër vetëm në një ambient ndryshe. Qëndrimi i tij është krejt i qartë. Është i vendosur të përballet me procesin dhe çdo gjë që është shkruar në këtë vendim. Është krejt i qartë për çfarë bëhet fjalë dhe është gati për të bërë mbrojtjen për akuzat që nuk kanë lidhje me të. S’ka pasur asnjë lloj problemi për ta thirrur si në SPAK, si gjithandej”, tha Gjokutaj për mediat.
Në vijim, avokati i Metës e ka konsideruar arrestimin e klientit të tij si një goditje politike dhe për këtë akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama, shkruan A2.
“Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Domethënë këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet që janë nëpër duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, deklaroi Gjokutaj. (A2 Televizion)