Gazetari Basir Çollaku e sheh të rrezikshëm për turizmin në Shqipëri, precedentin e krijuar në fshatin turistik të Thethit, ku si pasojë e aksionit të shembjes së objekteve të ndërtuara pa leje nga ana e IKMT-së, ka pasur përplasje deri në hedhjen e molotovëve dhe nxjerrjen e armëve nga policia.
Çollaku deklaroi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, se kryeministri Edi Rama ka ngjallur frikë tek të huajt që vizitojnë vendin tonë, përmes këtij aksioni.
“Turistë të lemerisur dhe kujtojnë se kanë ngatërruar vend. Kanë prenotuar në Shqipëri dhe janë në një zonë lufte. Ne flasim për një vend ku ekziston ligji dhe shteti, jo në një vend ku ekziston individi dhe çdo gjë tjetër është derivat, i veprimeve, orekseve dhe mesazheve të tij. Këtu kjo lloj dhune që rrezikon ytë agravojë, nuk e di çfarë imazhi mund të kemi kur policë me automatik i drejtohen banorëve shqiptarë sigurisht. Turistë të lemerisur dhe kujtojnë se kanë ngatërruar vend, kanë prenotuar në Shqipërinë dhe kujtojnë se janë në një zonë lufte. Jo vetëm në Theth por unë besoj se kjo do të jetë një goditje për turizmin në të gjithë Shqipërinë, sipas humorit mëngjesor të kryeministrit, i cili është i pashëndetshëm edhe në periudhën paszgjedhore me rezultatin e tij euforik, sepse ka të tjera ekuilibra, të tjera ngjarje, të tjera dosje të rëndësishme, ku ortakë të tij qeveritar, të kabinetit të ministrave, deputetë, kryebashkiakë, janë atje dhe janë në prag hekurash”, u shpreh Çollaku në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)