Turisti në Theth rrëfen tmerrin nga fadromat e IKMT-së: Pasaporta britanike më ngeli në rrënoja!

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 16:12 | Aktualitet

Fadromat e IKMT-së kanë vijuar edhe këtë të shtunë shembjen e objekteve që cilësohen si të ndërtuara pa leje në zonën e Thethit. Forcat të shumta të policisë janë të pranishme në terren, ndërsa tensionet mbeten të larta pas përplasjes së djeshme mes banorëve dhe policisë.

Sakaq, një turist shqiptaro-britanik, i cili po qëndron në Theth për pushime, ka rrëfyer shokun që kanë pësuar prej ndërhyrjes së IKMT-së mëngjesin e sotëm. Ai tregon se ndërhyrja ka qenë e papritur dhe e pashoqëruar me asnjë paralajmërim zyrtar.

“Përshëndetje! Emri im është Kujtim. Jam këtu përreth 3 javë, dhe kam rezervuar edhe për një muaj tjetër. Po flija atje, dhe ata erdhën papritur duke bërtitur: ‘Dilni jashtë, dilni jashtë’. U thashë: ‘Çfarë po ndodh?’ Më thanë: ‘Kjo do të shembet’. I thashë: ‘Pse? Keni ndonjë dokument apo diçka?’ ‘Jo’, më thanë, ‘thjesht do të shembet’”, tregon ai.

Kujtimi shprehet se nuk është lejuar të marrë sendet personale nga ambienti ku po qëndronte, ndërsa pasaporta dhe dokumentet e tij ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesës së shembur.

“Askush nuk më dha ndonjë arsye, nuk më shpjeguan asgjë. U thashë: ‘Dakord, vetëm prisni sepse kam çdo gjë personale aty brenda’. Askush nuk më lejoi as të merrja gjërat e mia. Pasaporta ime ndodhet atje, gjithçka është atje, poshtë rrënojave. Nuk e di si do të vazhdojë. Do të shkoj nga këtu drejt e te Ambasada Britanike, kam filmuar çdo gjë.”

Turisti tregon se është i vendosur ta zgjidhë këtë çështje përmes institucioneve përkatëse, por shpreh gjithashtu keqardhje për mënyrën si po trajtohen turistët dhe banorët vendas në një zonë me potencial të lartë turistik si Thethi.

“Mendoj që do ta zgjidh vetë këtë problem, nëse më lejohet ta marr vetë pasaportën atje, nën rrënoja. Të gjithë duan të vijnë këtu, nuk është se bëhet fjalë vetëm për mua. Unë jetoj në Angli, udhëtoj kudo. Shkoj në Egjipt, kudo që shkoj, të gjithë flasin për Shqipërinë, për Thethin, që të vijnë ta vizitojnë, është një vend i bukur.”

Pavarësisht situatës, Kujtimi vlerëson mikpritjen e banorëve lokalë, duke përmendur një moment ku një nga të dëmtuarit nga shembjet, në vend që të konfrontohej me policinë, u ofroi atyre ujë.

“E shikoni këtë njeri, të cilit policia i shembi ndërtesën? Janë njerëz shumë të mirë. Në vend që t’i sulmojë (policinë), ai u jep ujë atyre. Kjo do të thotë që ky vend po investohet shumë në çdo turist që vjen këtu.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos