Policia e rendit dhe ajo bashkiake në Vlorë kanë nisur kontrollin në terren për verifikimin e dokumentacionit të plazheve private.
Gjatë kontrollit në një nga plazhet përgjatë Lungomares, janë vërejtur parregullsi në dokumentacionin për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit, dhe sot në orët e para të ditës, policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë hequr çadrat dhe shezlongët.
Në total janë hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë, ndërkohë që hapësira prej rreth 500 m² do të kthehet në plazh publik. Nuk ka pasur kundërshtime nga pronari.
Operacioni “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të zhvilluara nga subjektet private është zhvilluar edhe në plazhin e Semanit në Fier.
Policia ka liruar 3 hapësira publike në Seman dhe ka proceduar penalisht pronarët e 3 subjekteve që kishin zënë këto hapësira duke vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.
(A2 Televizion)