Policia bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit kanë liruar dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit në kryeqytet. Bëhet fjalë për një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën një 26-vjeçar e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontejner, pa lejen e organeve kompetente.
Ndërsa në rrugën “Teodor Keko”, një sipërfaqe publike ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe nga një 34-vjeçar.
Policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë për të dy shtetasit.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Lirohen dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit.
Procedohen penalisht 2 shtetas, për zënien e këtyre hapësirave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontejner, pa lejen e organeve kompetente.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Policia e Tiranës vijon angazhimin për mbrojtjen e hapësirave publike dhe thekson se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të territorit publik. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë, në numrin pa pagesë 112.
(A2 Televizion)