Ballokume e Elbasan shpallet pasuri jomateriale, shefi i kuzhinës zbulon sekretet e recetës tradicionale

Nga A2 CNN
6 Prill 2026, 11:02 | Aktualitet

Ballokumja, një nga ëmbëlsirat më të vjetra shqiptare me mbi pesë shekuj histori, është shpallur pasuri jomateriale e trashëgimisë kulturore. Në dita Jonë në A2 CNN, shefi i kuzhinës, Edi Shopja, thekson se sekreti i kësaj ëmbëlsire nuk qëndron vetëm tek përbërësit, por mbi të gjitha tek mënyra tradicionale e përgatitjes, e trashëguar brez pas brezi.

Sipas tij, ballokumja përgatitet vetëm me miell misri, gjalpë, vezë dhe sheqer, ndërsa një nga elementët kyç është përdorimi i ujit të hirit, që i jep brumit strukturën e veçantë dhe e bën të shkrihet në gojë.

“Receta është një përbërës shumë i rëndësishëm, sepse në asnjë vend të botës ti nuk gjen përdorimin e miellit të misrit në sasi kaq të madhe, se nuk lidhet dot në formë teknike të kuzhinës. Nuk është thjesht receta. More vezën, sheqerin, miellin edhe gjalpin. Është mënyra e përgatitjes që e bën shumë të veçantë procesi. Procesi është shumë i gjatë. Duhet ta rrash me dorë normalisht ose me lugë druri, të japësh pikërisht atë fryrjen natyrale që duhet të jetë mes proteinave dhe yndyrës. Është një proces që zgjat shumë. Të paktën kjo pjesa e të rrahurit vetëm sheqeri me gjalpin do 40 minuta minimalisht, plus pastaj çdo sa herë që ti shton një kokë vezë çdo 10 minuta që të rrahësh që të shkrihet mirë. Një përgatitje që duhet ta bësh me dorë është gati një orë e gjysmë. Kështu që dhe kjo është një proçes kështu qytete të tjera e bëjnë shpejt e shpejt. Faktikisht receta nuk është vetëm hajde se e përgatitja e bëra. Është mbledhja, është familja, janë të gjithë që bëjnë”, ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Një tjetër veçori është procesi i gjatë i përgatitjes, që mund të zgjasë mbi një orë, si dhe përdorimi i enëve të bakrit dhe rrahja me dorë, elementë që e bëjnë këtë ëmbëlsirë unike.

“Sekreti i ballokumes është pikërisht kjo trashëgimia që është dhënë bres pas brezi. Ka familje që janë mbi 200 vjet që kanë të njëjtën enë bakri për të gatuar vetëm ballokumet, asnjë gjë tjetër. Edhe edhe ena e bakrit i jep teksturë dhe shije tjetër. Nuk është aq kollaj dhe kur ti e pjek akoma në furrë druri, është akoma më e mirë, më e shijshme, pavarësisht se është më e vështirë që të bëhet sot e kësaj dite”.

Shopja thekson se, ndonëse ballokumja është kthyer në produkt masiv, familjet elbasanase vijojnë ta ruajnë me fanatizëm recetën origjinale, duke e konsideruar si pjesë të identitetit kulturor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos