Testet e fundit, tuneli i Llogarasë nis me pagesë

Nga Edi Ruçi
6 Prill 2026, 12:45 | Aktualitet

Punimet për vendosjen e sistemit të pagesës në Tunelin e Llogarasë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa gjatë ditës së sotme janë zhvilluar testet e fundit për funksionimin e plotë të pajisjeve.

Kamerat e sigurisë, sistemet elektronike të kontrollit dhe infrastruktura mbështetëse po verifikohen për të garantuar një proces të rregullt dhe efikas në momentin e nisjes së tarifimit, shkruan A2.

Sipas të dhënave, aplikimi i tarifave pritet të nisë brenda këtij muaji, duke i dhënë fund periudhës së kalimit pa pagesë. Çmimet do të jenë të diferencuara sipas kategorive të mjeteve, duke filluar nga 100 lekë për motomjetet, 250 lekë për makinat, 500 lekë për mjete me karroceri, 1000 lekë për furgonë dhe autobusë, si dhe deri në 5000 lekë për mjetet e rënda me rimorkio.

Vendosja e tarifës pritet të shoqërohet me reagime nga qytetarët dhe udhëtarët, të cilët deri më tani e kanë përdorur tunelin pa pagesë. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë lehtësi apo karta të posaçme për banorët rezidentë.

Tuneli i Llogarasë konsiderohet një investim kyç për përmirësimin e qarkullimit drejt jugut të vendit, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke rritur sigurinë rrugore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos