Kreu i SPAK, Altin Dumani, u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të respektohen plotësisht nga Prokuroria e Posaçme.
“Ne nuk i komentojmë vendimet e Kushtetueses, i zbatojmë dhe i respektojmë. Ne nuk i diskutojmë vendimet e kushtetueses. Në i zbatojmë dhe respektojmë ato. Ne do mirëpresim arsyetimin e Kushtetueses dhe në rast se duhet të nxjerrim mendime, do t'i nxjerrim”, deklaroi ai.
Për rastin e çështjes së ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi, Dumani theksoi se gjatë shqyrtimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Avokatura e Shtetit nuk ka kërkuar asnjë informacion nga SPAK, duke mos i dhënë mundësi institucionit të tij të përfaqësohet.
“Në rastin e çështjes Gëllçi ka një moskoordimin institucional. Gjatë shqyrtimit në GJEDNJ, Avokatura e Shtetit nuk ka kërkuar asnjë informacion nga SPAK, duke mos mundësuar paraqitjen e shërbimit tonë”.
Sipas Dumanit, vendimi i gjykatës së Strasburgut përmban pasaktësi, sikurse pohimi se Gëllçi ishte vetëdorëzuar, ndërkohë që ai është lokalizuar dhe arrestuar pas një vendimi në mungesë. Gjithashtu, afati i mbylljes së hetimit është raportuar gabimisht, por thelbi i vendimit nuk është cenuar.
“Ka pasaktësi në vendimin e Strasburgut. GJEDNJ thotë se Gëllçi është dorëzuar. Ndërkohë Gëllçi është lokalizuar pas vendimit në mungesë dhe arrestuar. Po ashtu, ka pasaktësi sa i takon afatit të mbylljes së hetimit. Ndërkohë, thelbi i vendimit nuk është cenuar”.
I pyetur pse SPAK nuk ka nisur hetim ndaj Avokaturës së Shtetit për këtë rast, Dumani u përgjigj:
“Për cilën vepër penale? Kam pasur komunikime me ta pasi konstatuam parregullsi.”
Ai theksoi nevojën për një bashkërendim më të mirë mes institucioneve.
(A2 Televizion)