70 për qind e nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm profesional punësohen, ndërsa 30 përqind ndjekin studimet e larta. Këto shifra duket se po tërheqin gjithnjë e më shumë nxënës të regjistrohen në shkollën e mesme profesionale të Fierit, e cila këtë vit shkollor, ka regjistruar 40 për qind të nxënësve që përfunduan arsimin 9-vjeçar.
Të kesh një profesion që ka kërkesa të larta në tregun e punës dhe natyrisht edhe pagesa të mira, duket se po josh më shumë nxënësit që mbaruan klasën e nëntë në qytetin e Fierit. Këtë trend të preferencave të këtyre nxënësve e konfirmojnë regjistrimet në shkollën e vetme profesionale të Fierit, “Petro Sota”.
Deri në fund të muajit shtator që është edhe afati i fundit për regjistrimet në shkollat e mesme profesionale, numri i nxënësve të rinj të regjistruar pritet të shkojë deri në250. Dhe krahasuar me numrin total të nxënësve që përfunduan arsimin 9-vjeçar në Fier, rezulton se afërsisht 40 për qind e tyre kanë zgjedhur arsimin e mesëm profesional. (A2 Televizion)