Vizitë për Pashkët, eurodeputeti grek takon Belerin në burgun e Fierit

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
6 Maj 2024, 12:46 | Aktualitet

Tri javë pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e konfirmoi si pjesë të listës prej 42 kandidatësh së partisë “Demokracia e Re” për zgjedhjet europiane, Fredi Beleri është vizituar në burg nga një zyrtar i lartë helen.

Kreu i Komisionit të Asociim–Stabilizimit në BE, Manolis Kefalogianis u ndal fill pas festës së Pashkës ortodokse në IEPV e Fierit, duke vizituar në qeli bashkëkandidatin e tij, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

Në këtë takim me Belerin, i cili më 12 maj plotëson një vit qëndrimi pas hekurave, Kefalogianis është shoqëruar edhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Në përfundim të takimit, në emër të eurodeputetit grek për mediat foli Dule, i cili tha se kjo vizitë është dëshmi e interesimit të politikës greke për këtë çështje.

"Në kuadër të ditëve të festës së madhe të Pashkës ortodokse, vizituam sot së bashku me eurodeputetin Kefalogianis, kryetarin e bashkisë së Himarës, mikun tonë, kandidatin për eurodeputet Freid Belerin. Ishte vizitë për të shkëmbyer urime dhe për të dëshmuar vazhdimin e përpjekjes sonë, në vendin tonë, por edhe në Europë për gjetjen e së vërtetës dhe të drejtës. Kefalogianis është e katërta herë që po viziton zotin Beleri, dëshmi kjo e interesit të vazhdueshëm në nivele europiane për këtë çështje drejtësie të papranueshme, në shkelje flagrante të shtetit të së drejtës dhe mëvetësisë së pushtetit vendor në vendin tonë që janë bërë objekt shkeljesh në rastin e Fredi Belerit", tha Dule.

Nga ana e tij, Kefalogianis nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos