IMT ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kanalin e ujërave të larta, një hap i ndërmarrë nga Bashkia e Vlorës pas përmbytjeve të 4 Tetorit.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, theksoi se pas përmbytjes ka filluar evidentimi i të gjitha segmenteve ku ndodhen kanalizimet, dhe aty ku është abuzuar me ndërtime të paligjshme, do të ndërhyhet, shkruan A2 CNN.
“Këtu jemi te kanali i ujërave të larta në qytetin e Vlorës dhe me këtë prishje shpresojmë të japim një mesazh të qartë për të gjithë ata që pengojnë mirëfunksionimin e këtij kanali. Masat konkrete që po marrim sot do të vazhdojnë edhe në vijim”, theksoi Dredha.
Aksioni është mbështetur edhe nga i deleguari politik i qarkut, Bledi Çuçi, i cili deklaroi se masat e marra do të kontribuojnë në parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
(A2 Televizion)