Një protestë për sigurinë në shkolla është zhvilluar pasditen e sotme edhe në qytetin e Elbasanit, si derivate i ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi.
Ndryshe nga kryeqyteti ku sensibilizimi pas ngjarjes së rëndë ka qenë maksimal, me disa protesta radhazi para Ministrisë së Arsimit, pjesëmarrja në organizimin e Elbasanit ka qenë tejet minimale, ku më pak se 20 persona kanë dalë në shesh.
Disa adoleshentë pjesëmarrës në protestë mbajnë në duar pankarta me foton e të ndjerit Martin Cani, ndërsa marshimi ka qenë paqësor.
Mësues dhe prindër që morën pjesë thanë se gjithçka nis nga familja, ndaj sensibilizimi duhet të jetë maksimal pas vrasjes së 14-vjeçarit.
“Autoriteti mësuesit duhet të forcohet nga shteti. Oficeri sigurisë duhet të jetë vigjilent jo indiferent. Rrjetet sociale janë shkatërruese”, thanë njëzëri pjesëmarrësit në protestë. (A2 Televizion)