Vrojtimi i plazheve, kujdes nga loja me dallgët, Adriatiku krijon vorbulla

Nga Armend Pire
17 Korrik 2024, 15:16 | Aktualitet

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për menaxhimit e vijës bregdetare sa i përket vrojtueseve të shpëtimit në ujë, duhet që kullat e vrojtimit të jenë në distancë 80 metra linearë nga njëra-tjetra. Po të shohim me kujdes, nga pika e parë ku ndodhemi në Golem dhe pikës së dytë, qartazi ka një zbatim sa I përket këtij vendimi.

Por çfarë ndodh në krahun tjetër? A zbatohet ky vendim? Po të shohim do të duhet që kamera jonë të zmadhohet për disa sekonda për të parë dhe për të gjetur se ku ndodhet kulla tjetër e vrojtimit. Qartazi, ky vendim nuk zbatohet. Të shqetësuar për sigurinë në plazhe janë pushuesit, të cilët frekuentojnë vijën bregdetare familjarisht. Nga viti në vit ka një përmirësim të situatës, por vrojtimi i plotë sipas rregullores, mungon.

Festim Sula është instruktor i vrojtuesve të plazheve. Ai thotë se 90% e vijës bregdetare është e mbuluar, teksa disa këshilla ka edhe për pushuesit. “Një nga problemet më të mëdha është në momentin që ne kemi dallgë ose valë që janë shumë të mëdha. Atëherë të gjitha kanë atë qejfin ose kënaqësinë për të luajtur me valët, por harrojnë që rreziku më I madh është të luash me valët. Dallgët janë mjet transportues dhe mund të ketë shumë materiale dhe mundtë kemi raste çarje ose goditje. Pastaj është edhe fenomeni që Adriatiku krijon vorbulla uji që të marrin me vete dhe aty ndodh rasti i mbytjeve”, thotë ai për A2 CNN. Kujdes duhet të kenë edhe moshat e treta dhe konsumuesit e alkoolit.

Vrojtuesit e plazhit punësohen nga subjektet që menaxhojnë rërën duke vendosur shezllone, një masë sigurie që në rast moszbatimi shoqërohet me gjobë, deri në heqjen e të drejtës për të mos menaxhuar më territorin e rërës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos