Xhafaj zbulon si do të funksionojë Komisioni Anti-Korrupsion

Nga A2 CNN
28 Tetor 2024, 12:24 | Aktualitet

Në një konferencë për shtyp, kreu i Komisionit Anti-Korrupsion, Fatmir Xhafaj, bëri një përmbledhje të punës së komisionit dhe shpalosi planet për hapat e ardhshëm në luftën kundër korrupsionit. Xhafaj tha se pavarësisht kritikave të kohëve të fundit, komisioni është në fazën e parë të punës, duke përpiluar një dokument analitik për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Ai theksoi rëndësinë e një procesi të gjerë konsultimi, ku janë planifikuar 12 tryeza diskutimi me përfaqësues nga grupe të interesit, biznesi dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Po ashtu, do të zhvillohen forume të dialogut qytetar në nivel vendor dhe në universitete, duke përfshirë komunitetin e gjerë për të sjellë një pasqyrim më të mirë të shqetësimeve të qytetarëve.

“Drafti fillestar do të konsultohet me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për të siguruar përputhshmërinë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin. Në përfundim të këtij procesi, versioni i përditësuar do t’i dorëzohet Komisionit Anti-Korrupsion për diskutime dhe miratim të mëtejshëm”, tha Xhafaj, shkruan A2.

Xhafaj theksoi gjithashtu nevojën për angazhimin e ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët do të funksionojnë si të pavarur, duke nënvizuar përfshirjen e 670 ekspertëve të propozuar nga institucione të pavarura, universitetet, shoqëria civile dhe biznesi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos