Xhaxhai i Aleks Nikës: Gabim që komandanti i Grupit të Zjarrit në 21 Janar u zgjodh kryebashkiak i PS

Nga A2 CNN
21 Janar 2026, 21:03 | Aktualitet

Ish-komandanti i grupit të zjarrit në 21 janarin e 15 viteve më parë dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Agron Malaj, për xhaxhain e Aleks Nikës është një gabim i socialistëve. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se ky vendim është i padrejtë, ndërkohë që çështja është nën hetim.

“Ne nuk kemi qenë dakord dhe kemi ngritur si problem, që ky gardisti që mbulonte detyrën e komandantit të grupit të zjarrit, nuk duhet të ishte në radhët e Partisë Socialiste. Aq më tepër të zgjidhej kryetar bashkie dhe së fundi deputet. Por ky vendim i këtij parlamentit, ose i Partisë Socialiste për ne ishte i padrejtë. Thashë çështja është në hetim edhe me siguri duhet të ketë materiale dhe SPAK-u do ta sqarojë pozitën e tij. Ai ishte komandant, nuk duhet të ishte deputet dhe as kryetar bashkie”.

Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se gjatë takimit të sotëm me prokurorin e çështjes ai ka kërkuar përshpejtim të hetimeve që deri tani sipas tij janë zvarritur.

“Janë 15 vjet që ne vuajmë dhe lotët nuk na ka pushuar për një drejtësi të munguar. Koha për politikanët dhe pushtetarët e diplomatët e huaj ka mbaruar. Tani kemi të bëjmë me një çështje penale. Shpresat e fundit për të bërë drejtësi dhe për të ndëshkuar urdhëruesit, vrasësit e vërtetë të 21 Janarit janë në duart e hetuesve dhe të prokurorëve të SPAK-ut. Siç jeni në dijeni dhe nga shtypi, prokuroria e posaçme po bën hetime të plota për të identifikuar autorët, urdhëruesit e vrasjes të kësaj dhe tragjedisë së 21 janarit. Kërkova për të ditur se në çfarë statusi ndodhet hetimi i kësaj çështjeje. Prokurori më shpjegoi se vazhdojnë hetimet dhe për të përcaktuar kërkesat që kërkon edhe ligji për vrasjen e protestuesve se cilët janë fajtorët, si gardistët apo qytetarët e vrarë. me thënë të drejtën ka një zvarritje pakuptimtë”, tha xhaxhai i Aleks Nikës në  Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij dosja është masakruar nga prokuroria e Tiranës dhe gjykatat, duke larguar dokumente që mund të arrinin në një përfundim më të shpejtë.

“Është e vështirë sepse është një dosje sipas nesh e masakruar nga prokuroria e Tiranës dhe gjykatat nga e parë te gjykata e lartë që për mua mbajnë përgjegjësi, sepse kanë larguar nga dosja edhe dokumente që mund të arrinin në një përfundim më të shpejtë. Kërkojmë të përshpejtojmë hetimet dhe të pyeten edhe ne kemi bërë dhe memo të pyeten edhe personat e tjerë që janë përcaktuar ose kërkuar nga ana jonë në prokurorinë speciale duke filluar nga ish-prokuroria e përgjithshme dhe ish-kryeministri dhe kryeministri aktual dhe persona të tjerë nga garda, nga shërbimet civile si ishin atë ditë në nga policia atë ditë”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Në këto 15 vite betejë për drejtësinë, ai ngriti disa pikëpyetje nga lufta politike tek urdhëruesit e ekzekutorët.

“Pikëpyetje është lufta politike midis të majtës dhe të djathtës, kush të qëndrojë në pushtet. Partia Demokratike kishte në platformën e saj sipas meje ruajtjen e pushtetit me dhunë e vrasje. Si mundet të thuhet se është vrasje legjitime vrasja e nipit tim në 100 m larg kryeministrisë? Pse u vranë njerëzit, demonstruesit kur përfundoi garda? Kush e dha urdhrin? Cilët ishin ekzekutorët? Cili është truri politik i kësaj masakre? Këto duhet të hetojë prokuroria. Po sa kemi ne mundësinë vetëm protestë bëjmë, por s'kemi ndikim për të kryer veprime të tjera hetimore. Është në të drejtën e prokurorit i cili me sa pashë unë ai e ka vlerësuar si hetim, kryen veprimet”.

Xhaxhai i Aleks Nikës tha se në kasetën e dorëzuar në SPAK nga gazetari Artan Hoxha është identifikuar urdhërdhënësi për të qëlluar ndaj protestuesve.

“Ne kemi dorëzuar në SPAK, gazetari Artan Hoxha ka dorëzuar një kasetë aty është identifikuar urdhërdhënësi dhe personat që kanë marrë urdhër për të qëlluar për një moment për disa sekonda janë qëlluar dhe vrarë ato që dihet që mos t'i përsërisim dhe janë plagosur me 10-15 të tjerë. Këtu nuk ka nevojë shumë për hetim sipas meje, sepse kjo është vrasjet dhe ky krim makabër është i filmuar nga media dhe është transmetuar fill pas ngjarjes. Këtu mendoj unë çështja tani i përket prokurorisë. Ne besojmë e kemi shpresën sepse ato po restaurojnë dosjen e 21 janarit dhe rastet shtetërore. Baza e gjithë hetimit është vendimi i gjykatës së Strasburgut dhe gjykatës së lartë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos