Pak orë pasi deputeti demokrat Tritan Shehu denoncoi se kopertina e librit “Gjuha shqipe 3” paraqet pamje të cilat synojnë ndikimin për keq të fëmijëve, ka reaguar shtëpia botuese e librit. Kpertina e librit paraqet një ylber që për deputetin Shehu bie ndesh me principet edukative të fëmijëve dhe provokim i rëndë ndaj tyre. Sipas tij kjo është një strategji për orientimin seksual të fëmijëve.
"Regjim që tenton të deformojë edhe fëmijët! Kopertina e tekstit zyrtar të “Gjuhës Shqipe” për fëmijët, është një insult cinik mbi fëmijët, zhvillimin, të ardhmen e vizionin e tyre për jetën dhe Familjen. Në një tekst të tillë, që do të nderohej me figurat e Rilindasve tanë, paraqitje grafike të etapave madhore të gjuhës shqipe si Kongresi i Manastirit etj, bëhet një provokacion i rëndë ndaj “Gjuhës” e nxënësve të vegjël të saj. Një kopertinë ndesh dhe me principet edukative të fëmijëve, që kërkon të influencojë keq në rrugën e jetës duke e deformuar atë e krijuar konfuzion. Një fëmijë duket aty e mbi atë një “burrë” me mjekër i veshur me fustan ngjyrash “ylberi”, duke kërcyer zbathur si grua!!! Këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një strategji të regjimit, të rrezikshme Gender për orientimin seksual që në moshën e re fëminore. Me pasoja thellësisht negative në të gjithë rritjen e fëmijës, komportamentin seksual të tij edhe mbas pubertetit. E bazuar kjo mbi genjeshtra pseudo shkencore sipas te cilave zgjedhja seksuale qenka e para caktuar genetikisht, mashtrim ky! Sepse nuk ka asnjë demonstrim gjenetik, asnjë të dhënë shkencore të vërtetuar gjenetikisht, që të vërtetojë këtë tezë të komuniteteve LGBT etj. Përkundrazi dihet qartësisht roli i ambientit, edukimit normal e real mbi fëmijët për ecurinë e mëvonshme seksuale e të përgjithshme të tyre. Këtu kemi të bëjmë me ideologji anti familje të majta populiste, që tentojnë të shkatërrojë për qëllime të errëta themelet e Jetës e Familjes prej një burri e një gruaje nën martesë e me shpresë fëmijët gjenetikë apo adoptivë ata. Kjo si garanci e ekzistencës fizike, vlerave të shoqërisë dhe fëmijëve vetë. “Institucione” sublime ato, që mbrohen edhe nga ligjet tona. Te tilla provokacione godasin jo vetëm vlerat por dhe kontekstin e ligjeve tona", citon A2 postimin e Shehut.
Por i menjërshëm ka qebë edhe reagimi i shtëpisë botuese, sipas të cilës ky është viti i tetë që ky libër ka këtë kopertinë dhe nuk ka pasur asnjë ankesë. Siç raporton A2, në reagim thuhet gjithashtu se ylberi është simbol fëmijëror dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës.
“Gjithashtu përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë). Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra”, shkruan shtëpia botuese.
(A2 Televizion)