Zhvendosja në Tiranë e Kadastrës së Vlorës, reagon ASHK: Çdo shërbim ofrohet në mënyrë elektronike, dokumentacioni dërgohet me postë

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 12:00 | Aktualitet

Zhvendosja në Tiranë e Kadastrës së Vlorës, reagon

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka reaguar për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Sipas Agjencisë, "proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative".

Më tej, ASHK sqaron se "të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues".

"Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar", lexohet në njoftimin e ASHK-së, shkruan A2.

Njoftimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale.

Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.

Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë.

Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.

Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi.

Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos