Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka nisur verifikimin në terren mbi gjendjen e shëndetit të kafshëve blegtorale në zonat e prekura nga zjarret në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh.
Nga të dhënat e deritanishme nga terreni, konstatohet se në fshatrat Tremul dhe Aliko janë shkaktuar dëme në kullota dhe parcela me ullinj, por nuk ka humbje në bagëti. Fermerët janë udhëzuar për hapat që duhet të ndjekin në rast rreziku.
Në njësisë administrative Dhivër janë dëmtuar kullota dhe ullishte. Fermat që rrezikoheshin nga mungesa e ushqimit për bagëtitë u evakuuan në zona të sigurta me kullota, larg vatrave të zjarrit.
Në Sirakat është konstatuar djegia e një stalle me 4 viça të ngordhur, si dhe djegia e dy parqeve me bletë, përkatësisht me 140 dhe 57 zgjoje.
Situata paraqitet e rënduar në Bashkinë e Delvinës. Grupet e punës vijojnë monitorimin në terren. Paraprakisht dyshohet për djegien e një ferme me 25 krerë të imtash dhe 9 parqe bletësh, me gjithsej 500 zgjoje.
Në Fshatrat Skëndërbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas janë konstatuar të djegur 9 krerë gjedh, 95 krerë të imtash dhe 50 zgjoje bletësh.
Grupet e punës janë në terren për evidentimin e plotë të dëmeve dhe në ndihmë të fermerëve. Kafshët e ngordhura po groposen. Deri më tani, sipas protokolleve veterinare janë groposur 39 krerë të imta dhe gjedh.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u bën thirrje fermerëve të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet shtetërore për mbrojtjen e jetës së tyre dhe shëndetit të kafshëve. (A2 Televizion)