“Zjarret nuk shuhen me forcë magjike”, Rama i përgjigjet kritikëve: Gjysma e Europës është në situatë të ngjashme

Nga A2 CNN
14 Gusht 2025, 14:18 | Aktualitet

“Zjarret nuk shuhen me forcë magjike”, Rama i përgjigjet

Për kryeministrin Edi Rama, zjarret nuk mund të shuhen me forcë magjike, ndaj për ata që janë treguar kritikë ndaj qeverisë pas situatës kritike me flakët që rrethuan Delvinën apo Poliçanin, shefi i qeverisë solli raste të ngjashme nga Turqia e Spanja.

Shefi i qeverisë u ndal në veçanti te kritikat për mungesën e avionëve zjarrfikës, duke kërkuar nga qytetarët mirëkuptim pasi sipas tij këto gjëra do të arrihen.

“Në gusht janë djegur 440 mijë hektarë në territorin e Europës dhe pjesa dërrmuese e tyre në territorin e Europës jugore. Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Ne mund të flasim shumë, ne mund të japim shumë mendime, disa mund të thonë duhen avionë më shumë, por po flasim për fuqi të mëdha. Spanja është një nga fuqitë më të mëdha të NATO dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55,500 njerëz të evakuuar në këto momente që flasim. Dhe dihet se çfarë avionësh, dronësh e ushtarë ka Turqia. Duhet një reflektim i vockël për të mos bërë menjëherë nxjerrjen e konkluzioneve dhe për të kuptuar që patjetër ka gjëra që duhen bërë më shumë më mirë, që duhen përmirësuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret”, u shpreh kryeministri.

Rama në komunikimin e tij përmes rrjeteve sociale tha se jo vetëm vendi ynë, por gjysma e Evropës po përballet me situatën e rënduar si pasojë e zjarreve këtë verë.

“Ky është një fenomen që po shkon duke u bërë gjithmonë e më prezent dhe po ju them që në mes të korrikut të dhënat e Sistemit Europian të Zjarreve në Pyjeve tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE që do të thotë rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit, më shumë se dyfishi. Dhe nuk mund të thuash që në ato vende nuk ka avionë. Këtë herë kemi pasur në dispozicion forca ajrore më shumë se çdo herë tjetër”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos