Zjarri i paprecedentë në vendgrumbullimin e skrapit në ish-zonën e metalurgjikut në Elbasan, për më shumë se 24 orë ka shkaktuar një ndotje mjaft të madhe të ajrit, ku janë çliruar gazra dhe elemente kimike nga më të rrezikshmit, që ndodhen në bateritë e makinave, vajrave lubrifikantë, plastikës e deri te shkrirja e metaleve në ambient të hapur.
Paraprakisht, mendohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht nga fërkimi i metaleve dhe ndezja e baterive apo vajrave që ndodheshin në malin e skrapit.
Por për anëtarin e këshillit bashkiak të Elbasanit njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të Emergjencave dhe Mbrojtjes Civile, Erion Murataj, në atë situatë që angazhoi thuajse të gjitha strukturat lokale të Qarkut të Elbasanit janë shkelur disa ligje dhe për këtë i është drejtuar edhe Prokurorisë së Elbasanit me një kallëzim penal.
Kjo nuk është hera e parë që aksidente të tilla në zonën e ish-metalurgjikut shkaktojnë ndotje të konsiderueshme të ambientit. Madje edhe në punën e përditshme, ndotja është prezente veçanërisht për banorët e zonës. (A2 Televizion)