Prej mesditës së të shtunën dhe deri në mesnatë është përfshirë nga flakët një sipërfaqe e konsiderueshme e qytetit të Poliçanit. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale bashkia e këtij qyteti ku informon se zjarri është përhapur masivisht në kufirin lindor të Kombinatit Mekanik, në pjesën fundore të lagjes Prokuc dhe në një pjesë të konsiderueshme të territorit në lagjen Plirëz.
Sipas Bashkisë së Poliçanit forcat zjarrfikëse, punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve, forcat vullnetare, stafi administrativ i bashkisë dhe punonjësit e ujësjellësit morën masa urgjente për të mbrojtur objektet strategjike, me rëndësi të veçantë përfshirë si: Kombinatin Mekanik, Stacioni i Pompave të Ujit dhe Qendra Polivalente e të Moshuarve.
Bashkia njofton se u evakuuan të moshuarit e azilit si edhe banorët e lagjes Plirëz, ndërsa situata vijon të jetë tepër kritike.
“U evakuuan të moshuarit e Qendrës të cilët nen kujdesin e personelit dhe stafit spitalor????u akomoduan në ambientet e Spitalit Poliçan dhe shkollën "Refat Keli" ku po qëndrojnë të sigurt me kujdes të shtuar. U evakuuan të gjithë banorët që jetojnë në lagjen Plirëz, në kufirin e rrugës Kullusëm në një distancë jo shumë të largët nga vatrat e zjarrit!”, njofton Bashkia.
Aktualisht janë angazhuar gjithë forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri të Qarkut Berat si dhe rreth orës 18:00 jemi asistuar nga ajri me një helikopter të F.A
Dëmet deri në këto momente janë të konsiderueshme në shumë hektar tokë bujqësore e ullishte, një banesë, por fatmirësisht nuk kemi dëme në jetë njerëzore.
Situata vazhdon të jetë tepër kritike duke rrezikuar seriozisht banesat në pjesën perëndimore të qytetit të Poliçanit.
“Errësira na pamundëson ndërhyrjen për shmangien e plotë të rrezikut megjithëse kemi rrethuar perimetrin e sigurisë me mjete zjarrfikëse përgjatë segmenteve në afërsi të flakëve.
Me gjithë mbështetjen e instancave të qarkut Berat, kemi nevojë akoma për më shumë pasi flakët të favorizuara nga era po përhapen shumë shpejtë drejtë qendrave të banuara të qytetit.
Së bashku me Prefekten jemi duke ndjekur operacionin për shuarjen e zjarrit, me prioritet kryesor jetën e njerëzve, shtëpitë e banimit dhe të pronës së qytetarëve .
Bashkia Poliçan vijon intensivisht monitorimin e situatës në terren deri në shuarjen e plotë të flakëve”, njofton Policia. (A2 Televizion)