Policia në Tiranë ka arrestuar një 33-vjeçar, i cili ka përplasur me automjet një efektiv policie, teksa ky i fundit ishte duke lëvizur me biçikletë.
Sipas Bluve të kryeqytetit, i riu pas ngjarjes është larguar nga vendi i aksidentit, por është lokalizuar më pas.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin K. B.(L.), 33 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. K., 37 vjeç. Dje, 33-vjeçari përplasi me automjet, biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. Gj., 63 vjeç (punonjës policie që sapo kishte dorëzuar shërbimin), dhe u largua nga vendi i aksidentit”, njofton policia.
Po ashtu është ndjekur penalisht një 37-vjeçar, i cili rezulton të jetë pronari i automjetit që u përfshi në aksident. Këtij të fundit i është gjetur gjatë kontrollit lëndë narkotike në automjet.
“Shërbimet e Policisë sekuestruan automjetin e përfshirë në aksident, i cili u lokalizua në momentin që drejtohej nga 37-vjeçari, dyshohet në efektin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një sasi lënde narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale”, sqaron më tej policia.
Ndërkaq, efektivi i policisë ka marrë ndihmë mjekësore dhe është larguar në banesë, jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)