12 mijë fermerë u formalizuan në 2023, ekspertët: Numër i pakët, shkak subvencionet e ulëta

Nga Marinela Lina
5 Qershor 2024, 15:21 | Ekonomi

Skemës së formalizimit në bujqësi në 2023 ju shtuan vetëm 12 mijë e 71 fermerë. Regjistri i biznesit i publikuar nga Instituti i Statistikave bën të ditur se në të gjithë Shqipërinë ndodhen të pajisur me NIPT 96 mijë e 440 fermerë ose 14.3% më shumë se viti paraardhës.

Por për ekspertët ky numër ende nuk është pasqyrim i tregut, teksa informaliteti qëndron disa herë më i lartë në këtë sektor.

“Cdo vit kemi një rritje progresive të fermerëve pra ata që janë me nipt. Kur vjen pun ate femerët real që thuhet se janë me qindra mijëra ende nuk jemi në numrat real se cfarë janë formal dhe ata informal. Mendohet që nga shkaqet mund të jetë subvencionimi,” shprehet Esmeralda Ballesha, eksperte bujqësie.

Ndalur sipas qarqeve, është Fieri me numrin më të lartë të fermerëve të formalizuar me 26 mijë e 110 në 2023, pasuar nga Korça me 17 mijë e 34, Elbasani 12 mijë e 124 fermerë, Berati 11 mijë e 201. Ndërsa më pak fermerë ndodhen në Lezhë e Kukës.

“Dihet që peshën më të madhe e zë komunitetit në zonën e Lushnjës por ne kemi kudo. Shqipëria është e bekuar me pjesën natyrore dhe ne prodhojmë. Duhet të ketë më shumë iniciativa për regjistrimin e të gjithë fermerëve.”

Prodhimet e fermerëve janë mikse por dhe të orientuara edhe në kultivimin e perimeve. 56,6% e ushtronin këtë lloj aktiviteti ekonomik në 2023.

 “Ka patur një përfitim më të madh te këto lloj produktesh. Duke marrë parasysh dhe eksportin përfitimet që kanë janë më të larta dhe mbulojnë kështu dhe shpenzimet.”

Numri i fermerëve pronar të gjinisë femërore është shtuar nga viti në vit ku në 2023, 11.2% e fermave drejtoheshin nga gratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos