Shqipëria nuk mund të eksportojë produkte me origjinë shtazore dhe bulmet në Bashkimin Europian. Ndonëse prej më shumë se tre dekadash jemi pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë vendi ynë nuk përmbush kushtet për të shitur mish dhe nënprodukte të qumështit në 27 vendet e Unionit. Me të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian tashmë të hapur, bizneset në këta sektorë po skanohen nga institucionet.
“Sektori i qumështit ka potencial ekonomik dhe social, por kërkon konsolidim të mëtejshëm në një hark kohor të shkurtër. Prioritet i Ministrisë është konsolidimi i sektorit, rritja e standardeve dhe kategorizimi i subjekteve proces i cili po kryhet aktualisht nga AKU. Kategorizimi do ndihmojë që çdo operator të ketë një plan veprimi dhe standarde”, deklaroi Tana Kika, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtare të Ushqimit Blerina Gjylameti njoftoi në konferencën e parë Kombëtare të Industrisë së Përpunimit të Qumështit se pas një skanimi që i është bërë sektorëve kanë nisur inspektimet nga trupa e AKU në stabilimente dhe fabrika.
“Pasi të dalim në një konkluzion, do dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe ndoshta do të hartojmë një politikë për mbështetjen e sektorit. Në fund të vitit do të dalë raporti përfundimtar për 253 operatorë të biznesit", u shpreh Blerina Gjylameti, Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Shkaku kryesor për këtë kufizim është mungesa e gjurmueshmërisë në produktet me prejardhje shtazore, ndërsa procesi i matrikulimit i bagëtive ende nuk ka përfunduar.
“Ju do t’ju preken shumë fusha që nga siguria, punësimi, patenta, punonjësit etj. Qeveria duhet të fillojë një plan kombëtar që t’u thotë të gjithë bizneseve me çfarë do të përballen. Jemi një ekonomi me 140 mijë NIPT-e dhe nuk do të jetë e vështirë për të kaluar këto sfida. Edhe ju si biznese duhet të nisni të përgatitemi për këtë transformim”, theksoi Arben Shkodra, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.
Nga analiza e bërë ka rezultuar që përpunuesit e qumështit do të përballen me 18 kapituj me shumë detyrime që do të kontrollohen nga inspektorate. (A2 Televizion)