Qiratë e banesave rekord këtë vit, BSH: Janar-prill rritje me 7.8%, kërkesë e lartë e ndikuar nga turizmi

Nga Marjo Brakaj
11 Maj 2026, 15:10 | Ekonomi

Qiratë po shtrenjtohen me ritëm të shpejtë në muajt e parë të këtij viti. INSTAT thotë se nga janari deri në prill, çmimet e qirave u rritën me 7.8% krahasuar me 2025-ën, dhe sipas institucioneve dhe ekspertëve shkak është kërkesa e lartë për prona me qira, e ndikuar edhe prej turizmit, shkruan A2 CNN.

Marrja e një apartamenti me qira po kushton më shumë këtë vit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se veç ndikimit të luftës në Iran, shtrenjtimi i qirave është një nga faktorët kryesor që po mban të lartë inflacionin. Muajin e shkuar marrja e një apartamenti me qira sipas INSTAT ishte 7.1 për qind më kushtueshme se prilli i 2025-ës.

“Ka nga ata që kanë lënë apartamentet e tyre me qira ditore dhe vetë janë zhvendosur në zona të tjera ku apartamentet kushtojnë më lirë. Ka nga ata klientë që marrin apartamente me qira mujore dhe i japin me qira ditore. Ka nga ata që blejnë posaçërisht apartamente, i bëjnë me përmasa të vogla dhe i japin me qira ditore”, tha Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme, raporton A2 CNN.

Qiratë e banesave rekord këtë vit, BSH: Janar-prill rritje me

Ekspertët e tregut të pasurive të patundshme vlerësojnë se në treg po ndodh një efekt zinxhir. Blerja e apartamenteve për t’i dhënë më pas me qira po e shtrenjton e tregun e qiradhënies.

“Kryesisht në kryeqytet dhe jo vetëm janë italianët ata që kërkojnë apartamente me qira ditore. Kjo pasi janë edhe më të shumtë në numër”, u shpreh Demirxhiu, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e inflacionit të çmimit të qirave po ndikohet nga dy faktorë. Ka pak apartamente në treg për qira afatgjatë, pasi pjesa dërrmuese janë kthyer në qira ditore apo javore në shërbim të sezonit turistik, dhe faktori i dytë është kursi i këmbimit.

“Kam klientë që ofrojnë deri në 300 euro për një natë qëndrim në apartament pasi në disa zona strukturat hoteliere janë tërësisht të zëna”, theksoi Demirxhiu.

Trendi rritës i çmimit të qirave nuk pritet të ndalet as në muajit në vijim, duke reflektuar edhe efektin sezonal prej turizmit, edhe pse sipas agjentëve të tregut kërkesa për apartamente me qira edhe të kushtueshme po udhëhiqet nga kryeqyteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos