Çelet tenderi, Hekurudha Tiranë-Durrës zgjatet deri te bulevardi i ri në kryeqytet

Nga Mario Brakaj
11 Maj 2026, 14:35 | Ekonomi

Pasagjerët që do të udhëtojnë me tren nga Tirana për në Durrës do të nisen nga ish-stacioni i Trenit, në Bulevardin e Ri. Ky i fundit do të shërbejë edhe si stacioni i fundit i mbërritjes për ata që nisen nga qyteti bregdetar. Hekurudha Shqiptare ka çelur një procedurë tenderuese me vlerë 1.54 miliardë lekë për realizimin e lidhjes nga Terminali i Autobusëve te ish-Stacioni i Trenit të kryeqytetit.

Hekurudha Shqiptare bën me dije se: “Projekti "Zgjatimi 4 Km nga Terminali Publik Tiranë deri në Qendër të Tiranës  është një projekti i ri, i ndryshëm nga projekti ekzistues. Hekurudha Shqiptare ka siguruar investimin me fondet e buxhetin shtetëror dhe po vijon me finalizimin e procedurave të prokurimit për çeljen e garës ndërkombëtare për përzgjedhjen e kontratorit të zbatimit të punimeve. Stacioni fundor në Tiranë do të jetë në Bulevardin e Ri të Tiranës.”

Në dokumentet e dorëzuar në agjencinë e Prokurimit Publik, Hekurudha Shqiptare bën edhe një pasqyrë të ecurisë së punimeve të deritanishme në hekurudhën Tiranë-Rinas- Durrës.

 “Aktualisht janë të realizuar mbi 97% të punimeve civile të kontratës së parë të punimeve ndërtimore të projektit "Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës-Terminali i Transportit Publik Tiranë dhe ndërtimi i gjurmës së re Hekurudhore në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Punimeve ndërtimore priten të përfundojnë në të gjithë linjën e kontratës së parë, në fund të vitit 2026”, bën me dije Hekurudha Shqiptare.

Hekurudha Shqiptare tregon gjithashtu edhe arsyet për ndryshimin e planeve për ndërtimin e godinës së pasagjerëve në Durrës.

 “Për godinën e pasagjerëve në Durrës, gjatë fazës së zbatimit u vlerësua se ndërtimi i ri ishte më i përshtatshëm se rikonstruksioni i godinës ekzistuese. Punimet për objektin e ri kanë nisur dhe aktualisht janë përfunduar themelet. Në total, kontrata për godinat e stacioneve është realizuar në rreth 50% të saj. Pritet që në fillim të gjashtëmujorit të dytë të vitit aktual të përfundojnë punimet dhe objektet të merren në dorëzim, duke finalizuar kështu këtë komponent të projektit”, thotë Hekurudha Shqiptare.

Projekti për Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas ka nisur zbatimin nga vitit 2021 dhe është ende në proces e sipër pa një datë të saktë të përfundimit të saj. Linja është projektuar për shpejtësi prej 70–100 km/orë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos