522 miliardë lekë jashtë bankave, Shqipëria përballë një niveli rekord të parasë “cash”

Nga Mario Brakaj
28 Gusht 2026, 15:07 | Ekonomi

Sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend arriti në mbi 522 miliardë lekë apo rreth 5.6 miliardë euro muajin e shkuar. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.

Në raport me korrikun e vitit të shkuar paraja “cash” e pakontrolluar u zgjerua me rreth 71 miliardë lekë.

Zef Preçi, ekspert për ekonominë, u shpreh për A2CNN: “Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar, janë pjesë e ekonomisë informale dhe bashkë me të, aty ka edhe para nga aktivitete kriminale që zhvillohen brenda apo jashtë vendit tonë”.

Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 2.1 trilionë lekë, paraja informale përbën 25 për qind të totalit. Për të kuptuar shkallën e lartë të parave jashtë bankave, mjafton të themi se në vendet e Bashkimit Europiane ky tregues nuk e kalon nivelin 9 për qind.

“Diku për shkak të paaftësisë së administratës e diku tjetër duke lejuar hyrjen e parasë nga aktivitete kriminale ka bërë që ne të kemi sot nivel kaq të lartë të parasë jashtë sistemit bankar. Edhe pse Amnistia Fiskale nuk u lejua të miratohej si ligj, në fakt ajo në praktikë ka ndodhur”, thekson Preçi.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera: “Bashkohem me i8nstitucionet ndërkombëtare se një farë efekti mund të ketë, por ne kurrsesi nuk mund të pretendojmë se paraja informale mund të luftohet nga bankat tregtare”.

Nga 1 janari, për pagesat “cash” u vendos një tavan. Qytetarët mund të paguajnë në dorë maksimalisht 500 mijë lekë. Megjithatë nisma nuk e ka kufizuar fenomenin e parasë “cash” e cila sa vjen dhe zgjerohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos