Nga sera te rafti i supermarketit, në shtator nis “Pricewatch Albania”, iu shërben konsumatorëve

Nga Marjo Brakaj
27 Gusht 2026, 14:26 | Ekonomi

Nga sera te rafti i supermarketit, në shtator nis “Pricewatch

“PriceWatch Albania”, platforma e re që synon transparencë mbi çmimet e ushqimeve bazë, pritet të bëhet aktive në shtator. Qytetarët do të mund të krahasojnë çmimet nga prodhimi te pika e shitjes, ndërsa institucionet do të monitorojnë lëvizjet përgjatë zinxhirit. Synimi është rritja e konkurrencës dhe frenimi i abuzimeve me çmimet.

“Po çmimet, ja ashtu. Domatja 120, kastraveci 100. Dikush e ka më lirë e dikush më shtrenjtë", thotë një qytetar.

Nga fushat e serrat ku kultivohen te pikat e grumbullim e më pas te ato të shitjes e pakicë... qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj do të kenë të pasqyruar në kohë reale çmimet e frutave, perimeve dhe kategorive të ushqimeve të tjera bazë. Me qëllim transparencën dhe parandalimin e abuzimeve, nga muaji shtator do të bëhet aktive platforma “PriceWatch Albania” – “Pasqyra e Çmimeve”.

“Synimi është që konsumatori të ketë një informacion sa më të qartë dhe të besueshëm për atë që po paguan. Të kemi një pasqyrë të tregut në çdo moment, në mënyrë që çmimi të mos përcaktohet thjesht nga perceptimi, por të ketë një referencë të qartë për të gjithë”, thotë Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.

Përmes kësaj platforme, konsumatorët do të mund të shohin çmimet e produkteve bazë, t’i krahasojnë ato dhe të zgjedhin se ku mund t’i blejnë më lirë. Nga ana tjetër institucionet do mund të ndjekin edhe zinxhirin e çmimit, nga importi apo prodhimi deri në pikën e shitjes, për të kuptu ar ku krijohen diferencat dhe për të gjetur abuzimet.

“Ne duam që të kemi një monitorim të vazhdueshëm të lëvizjes së çmimeve. Kjo i jep mundësi edhe institucioneve që, kur vërejnë një rritje të pajustifikuar, të ndërhyjnë dhe të analizojnë se çfarë ka ndodhur në atë hallkë të zinxhirit”, shprehet Rrapaj.

Po a do të thotë kjo, veç transparencës edhe çmime më të ulëta për qytetarët?

“Transparenca është hapi i parë drejt një tregu më të rregullt. Platforma në vetvete nuk vendos çmimet, por krijon një mekanizëm që i bën ato të dukshme dhe të krahasueshme. Kur konsumatori ka informacion, rritet edhe presioni për një konkurrencë më të ndershme dhe, në këtë mënyrë, krijohen kushtet për çmime më të arsyeshme”, thekson eksperti.

Platforma “PriceWatch Albania” pritet të jetë pjesë e faqes zyrtare në internet të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në seksionin dedikuar konsumatorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos