6 të vrarë ose plagosur çdo ditë, pse po shtohen aksidentet në rrugët e vendit?

Nga Marjo Brakaj
27 Gusht 2026, 15:54 | Ekonomi

Katër aksidente rrugore me gjashtë të vrarë apo plagosur mesatarisht çdo ditë. Është ky bilanci i përplasjeve të automjeteve në rrugët e vendit në harkun e muajve janar-korrik.

Islam Qibini, ekspert për sigurinë rrugore, shprehet për A2CNN: “Shifrat tregojnë se kemi një problem që nuk është thjesht statistikor, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përdoren rrugët. Rritja e numrit të përplasjeve duhet të shërbejë si një sinjal për forcimin e masave parandaluese dhe të kontrolleve në terren”.

Në krahasim me vitin 2025, numri i aksidenteve u zgjerua me 77 ndërsa ai i të aksidentuarve me 110.

Gëzim Hoxha, ekspert për sigurinë rrugore, tha: “Fakti që ky trend vijon të rritet duhet të na bëjë të analizojmë edhe faktorët që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes në qarqe të ndryshme. Nuk mund të kemi të njëjtën qasje kudo, pasi problematikat dhe fluksi i mjeteve ndryshojnë nga një zonë në tjetrën”.

Në raport edhe me numrin e popullisisë dhe atë të automjeteve, Tirana është qarku me numrin më të lartë, me 419 aksidente deri në korrik. Lista pasohet nga Lezha, Vlora, Durrësi dhe Fieri. Qarqet me numrin më të ulët janë Berati, Dibra dhe Kukësi: “Qarku i Tiranës ka një ekspozim shumë më të madh ndaj trafikut, por kjo nuk e justifikon në vetvete situatën. Nevojitet një kombinim i kontrolleve, infrastrukturës së sigurt dhe ndërgjegjësimit të drejtuesve, veçanërisht në zonat ku evidentohen më shumë raste”.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se e enjtja është dita gjatë së cilës kanë ndodhur më shumë aksidente deri në korrik, ndërsa e marta me atë më të ulëtin.

Gëzim Hoxha, ekspert për sigurinë rrugore, theksoi: “Është e rëndësishme të shohim edhe shpërndarjen e aksidenteve gjatë javës, sepse pas këtyre të dhënave mund të fshihen modele të caktuara të qarkullimit dhe sjelljes së drejtuesve. Këto modele duhet të analizohen për të përcaktuar se ku dhe kur kontrollet parandaluese janë më të nevojshme”.

Pjesa më e madhe e atyre që shkaktuar aksidentet rrugore një harkun janar-korrik, mbi 90 për qind janë shkaktuar si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos