Nga çadrat e diellit te shezlongët dhe punimet e kashtës apo kallamit, bashkë me anijet e barkat, ndjekur nga aparatet fotografikë... turizmi po nxit importet e mjeteve të nevojshme për në plazh.
Vetëm në gjysmën e parë të vitit, vlera e çadrave dhe shezlongëve të prodhuar në shtete të tjera e futur në Shqipëri përllogaritet në 33 milionë lekë.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Instituti i Statistikave tregojnë se vlera e importeve të këtyre produkteve ka ndjekur trajektore të ngjashme me shifrat e turistëve.
Kapelat, bashkë me shportat e kashtës, apo aksesorët e punimeve të kallamit apo xunkthit, gjithashtu po marrin një tjetër hov. Vlera e tyre deri në qershor përllogaritet në 168 milionë lekë. Në pesë vitet e fundit, importet e këtyre produkteve kanë njohur vetëm rritje.
Me veçanërisht të huajt që, veç plazhit, duan edhe aventurën, janë rritur edhe importet e anijeve dhe barkave, që për gjashtëmujorin e parë kapin vlerën e 974 milionë lekëve. Vitin e shkuar, importet e mjeteve të vogla të lundrimit kapën shifrën e mbi 1.1 miliardë lekëve, ndërsa kulmi rezulton të jetë shënuar në 2022-shin, me gati 3.7 miliardë lekë.
Pa dallim nëse janë pushues vendas apo turistë të huaj... të gjithë duan një fotografi. Në 6 muaj, nga jashtë janë importuar aparatura optike dhe aparate fotografike në vlerën e mbi 7.5 miliardë lekëve.
Zgjerimi i turizmit po shoqërohet gjithashtu me shtim të importeve të peshqirëve të plazhit apo produkteve kozmetike për t’u mbrojtur nga dielli. (A2 Televizion)