Qeveria bën prapakthehu, rikthehet skema e rimburismit 10% për fermerët

Nga Marjo Brakaj
19 Shtator 2025, 15:13 | Ekonomi

Skema e Rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi do të ndryshojë. Formula e cila përdoret prej vitit 2018 me propozim të ish-ministrit në arrati Arben Ahmetaj do të shfuqizohet. Aktualisht sot një grumbullues kur blen produktin tek fermeri rimburisimin e TVSH-së e ka 0 për qind, ndërsa kur e blen në import rimbursohen 20 për qind. Qeveria vlerëson se ajo ka dëmtuar sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve e peshkimit.

“Dhe rrjedhimisht kjo skema na ka sjellë sot në pikën që kemi çmime kaq të larta. Aplikohet me 0 për qind TVSH në blerje nga bujku apo blegtori, dhe detyrohet të shesë me 20për qind, praktikisht nuk keni më tatim mbi vlerën e shtuar por tatim mbi qarkullimin. Kjo ka sjellë pasojë shumë të rënë në prodhimin vendas, ka favorizuar importin dhe produktet që vijnë nga importi dhe do vendosim barazi në prodhimin vendas”, tha Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.

Qeveria po përgatitet të rikthejë një skemë kompensimi për fermerët nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së në nivelin 10 për qind. Në programin e ri të qeverisë, të sapomiratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikohet të shpenzohet rreth 1.5 miliardë lekë në vit për rishikimin e skemës së TVSH-së te fermerët, që në ndihmë të tyre, pritet të funksionojë si transfertë direkte te fermeri.

“Politika e ndjekur prej 2018-ës ka sjellë ulje të numrit të bagëtive, dhe të prodhimit blegtoral, dhe njëkohësisht ka shtuar emigracionin e bujqve e blegtorëve. Kjo skemë ka fuqizuar importin për të gjitha produktet”, u shpreh Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.

Deri tani në rang vendi rezultojnë të regjistruar 100 mijë fermerë të pajisur me NIPT që kanë të drejtë të shesin te përpunuesi, grumbulluesi apo supermaketet produktet e veta, pa faturë TVSH-je, por nëpërmjet autofaturës që plotësohet prej blerësit, shkruan A2 CNN.

“Fermeri nuk mund të prodhojë për patriotizëm. Kur kostot e prodhimit janë të larta, rrjedhimisht nuk ka leverdi. Serbia nga ku ne importojmë i ka rritur çmimet e qumështit dhe nën-produkteve të rij e rrjedhimisht te ne do vijë më shtrenjtë”, tha Kristuli.

Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së për përpunuesit ishte 20%, çka do të thotë se për çdo blerje me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme. Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë për fermerin dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos