Nga “100 për qind ujitje e tokës bujqësore” te “ndërtimi i 1 mijë serrave të tjera” apo “5 qendrave për ruajtjen e produkteve” te “përdorimin e dronëve për kontrollin e të mbjellave” bashkë me shtimin e fondeve në dispozicion... qeveria premton tu kthejë dinjitetin bujqve dhe fermerëve shqiptarë brenda vitit 2029. Zotimi, i cili ka si objektiv arritjen e “1 miliardë euro eksporte deri në vitin 2030” është përfshirë në programin e qeverisë “Rama 4”
“Premtohet për financim në shuma të larta, por pa specifikuar se ku do të gjenden këto para. Në momentin ku ne jemi aktualisht, me fondet e BE të pezulluara, ne kemi par, ne kemi parë që nga viti në vit vlera e skemave mbështetëse në bujqësi është ulur”, tha Esmeralda Ballesha, ekspert e sektorit bujqësor.
Qeveria planifikon gjithashtu ndryshime në drejtim të skemave mbështetëse. Planifikohen 100 milionë euro çdo vit për bujqit dhe fermerët shqiptarë, shkruan A2 CNN.
“Të cilat duket sikur janë me pika më specifike se si do të ndërhyjnë në pjesën e bujqësisë. Por edhe këto premtime janë larg nevojave që sektori ka. Një pjesë e tyre duken të ricikluara nga e shkuara”, u shpreh Esmeralda Ballesha, ekspert e sektorit bujqësor.
Nëpër fushat e Shqipërisë nuk mungon vetëm uji, toka apo mundi. Mungon vizioni. Ai që nuk ndërtohet me copa-copa ndihmash, por me plane të mëdha, të guximshme. Dhe pa këto arritje, Shqipëria rrezikon edhe negociatat e anëtarësimit me BE.
“Objektivi për të përmbyllur me sukses kapitujt brenda vitit 2027 më duket si një objektiv i paarritshëm nga ana e Shqipërisë”, tha Pilku.
Modeli që kërkohet nuk është më ai i thasëve me pleh apo bidonëve me naftë të shpërndarë nga bashkitë, por i garancisë, i partneritetit, i financimit serioz që sjell teknologji dhe treg. Dhe për të pasur sinjale për ndryshim, kërkohet që bashkitë të jenë më pranë bujqve e blegtorëve shqiptarë.
“Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është këshillimi bujqësor. Është një tjetër e IPARD sipas së cilës, vetë bashkitë në bazë të skemës së vitit 2010 kanë të drejtën për mbështetjen e tyre për këshillimin. Dhe kjo duhet formatuar. Dhe skema e tretë e cila kap vlerën e 16 milionë dollarëve është ajo e mbështetjes rurale”, u shpreh Pilku.
Në një botë ku sfidat e bujqësisë janë më të mëdha se kurrë, Shqipëria nuk ka luksin të qëndrojë pasive thonë ekspertët. Është koha të ndërtojmë ura bashkëpunimi, jo thjesht të shpërndajmë ndihma të përkohshme. Përmes garancive, teknologjisë dhe këshillimit real, bujqësia mund të bëhet motor zhvillimi – jo vetëm për fermerin e vogël, por për të gjithë ekonominë kombëtare. Sepse një bujqësi e fortë nuk është vetëm prodhim; është garanci për të ardhmen. (A2 Televizion)