Afër dhe larg, vendet e rajonit pranë gjeografikisht, por jo në bashkëpunim ekonomik

Nga Marjo Brakaj
18 Dhjetor 2025, 15:14 | Ekonomi

Afër dhe larg, vendet e rajonit pranë gjeografikisht, por jo në

Afër dhe larg... vendet e Ballkanit perëndimor janë ngjitur njëri-tjetrit gjeografikisht, por jo dhe aq kur vjen fjala te bashkëpunimi ekonomi. Më shumë shkëmbime tregtare këto të fundit kanë me Turqinë dhe kinën e largët se me njëra-tjetrën. Kjo pavarësisht dhjetëra-qindra marrëveshjeve të firmosura mes qeverive të Rajonit.

“Kosova dhe Shqipëria kanë rreth 190 marrëveshje të ndryshme të nënshkruara që nga mbledhja e parë e dy qeverive e deri më sot. Por as gjysma e tyre nuk respektohen dhe zbatohen”, tha Agim Shahini, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Me politikën që zhgënjen, përfaqësuesit e bizneseve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e  veriut po përpiqen të marrin vetën në kontroll fatet e bashkëpunimit mes tyre. Për këtë qëllim në Tiranë u firmos edhe një marrëveshje bashkëpunimi, shkruan A2 CNN. “Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë për bashkëpunim kombëtar mes bizneseve tona”, tha Nuhi Aliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. “Kjo marrëveshje është një mbështetje e madhe për Luginën e Preshevës dhe bizneset tona. Po realizohet një ëndërr për fuqizimin ekonomik kombëtar”, tha Xhelal Mehmeti, kryetari i Unionit të Bizneseve të Luginës së Preshevës.

Të ftuara për t’u bashkuar janë edhe përfaqësitë e biznesit të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. “Bizneset tona nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë rajonit. Jemi të kënaqur që nga ky moment jemi bashkë në këtë rrugë të përbashkët”, tha kryetari i Forumit të Bizneseve Ulqin, Nazif Cungu.

“Ne jemi në rrugëtimin e ekonomisë drejt Bashkimit Evropian dhe kemi nevojë për një bashkim të fortë ekonomik kombëtar për të rikuperuar hapat e humbur krahasuar me vendet e tjera. Kjo marrëveshje përfaqëson një fuqi dhe energji të re ekonomike e biznesore për Ballkanin Perëndimor”, tha Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e shkëmbimeve tregtare mes bizneseve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe bashkimin e kapaciteteve intelektuale dhe kapitale për të përshpejtuar integrimin drejt ekonomisë së lirë të Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos