
Më mirë vonë sesa kurrë. Tre vjet pas raportimeve të A2 CNN, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur gjashtë kompani të tregut të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
“Një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar shtesë mbi kosto shumë të lartë, deri në 115%. Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.”
Pas hetimeve të nisura korrikun e viti të shkuar “konkurrenca” gjeti se kompanitë kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive deri në 115 për qind”, lexohet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me: çmime të diktuara e të koordinuara, dyer të mbyllura për negocim, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve, dhe shlyerje të vonuara të pagesave.
Përmes këtij ndëshkimi, thotë Konkurrenca, synohet të forcohen pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për çmime më të drejta e më transparente. Veç kompanive i janë lënë disa detyra Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: “Minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit, hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE, krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore, vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta”.
Nga vëzhgimi i A2 CNN rreth tre vite më parë, rezultoi se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të Myzeqesë shkonte pikërisht në tregun agro-ushqimor të Tiranës me një diferencë 80-100 lekë më tepër nga sa fermeri e shiste. (A2 Televizion)