Vendasit nuk blejnë, turistët shpëtuan konsumin veçanërisht gjatë muajve të verës

Nga Marjo Brakaj
17 Dhjetor 2025, 15:13 | Ekonomi

Dyqanet e lagjeve, supermarketet, baret dhe restorantet shitën më shumë produkte në harkun e muajve korrik-shtator. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se shitjet me pakicë në tremujorin e tretë të vitit u zgjeruan me 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

“Këtë ecuri ia dedikojmë kryesisht rritjes së numrit të turistëve gjatë muajve të verës, të cilët kanë ndikuar drejtpërdrejt në konsumin në dyqanet e lagjeve, supermarketet, si edhe në bare e restorante. Sezoni turistik ka dhënë një shtysë të fortë për shitjet me pakicë, veçanërisht në zonat urbane dhe bregdetare”, thotë për A2 CNN Eriola Hoxha, eksperte për ekonominë.

Kontributin më të madh në këtë ecuri e ka dhënë kërkesa për artikuj jo-ushqimorë, ndjekur nga ata ushqimorë dhe karburantet. Kjo në një kohë që vendas u rrudh si pasojë e çmimeve të larta dhe largimeve nga vendi.

“Po shitjen janë përtokë. Edhe njerëzit kanë të drejtë pasi nuk kanë para. Po shesim me gramë”, thonë qytetarët për mikrofonin e A2 CNN. “Po si të blejmë me këto çmime. Domate e sezonit dhe kushton 1 mijë e 500 lekë. Nuk dimë se ça po bëhet”.

Me gjithë retorikën e madhe për shtim të mirëqenies, shqiptarët vijojnë të bëhen më të varfër. “Mbi 4.4 miliardë euro të shpenzuara nga turistët deri në shtator kanë qenë faktori kryesor që ka mbajtur në rritje konsumin dhe xhiron në treg. Por kjo rritje nuk është e qëndrueshme dhe nuk reflekton përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, pasi ekonomia po mbështetet gjithnjë e më shumë te turizmi, ndërsa konsumi vendas mbetet i dobët”, thotë Hoxha.

Mbi 4.4 miliardë euro. Kaq para shpenzuan turistët e huaj që vizituan Shqipërinë deri në shtator. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në krahasim me janar-shtatorin 2024, shpenzimet e pushuesve të huaj u zgjeruan me 562 milionë euro ose 14.6 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos