Fajin e ka "superleku". Pasi "ngritën kokë” në tetor, eksportet iu rikthyen tatëpjetës në nëntor

Nga Marjo Brakaj
17 Dhjetor 2025, 19:31 | Ekonomi

Fajin e ka "superleku". Pasi "ngritën kokë”

Eksportet iu rikthyen tatëpjetës në nëntor. Pasi “ngritën kokë” në tetor, muajin e shkuar kompanitë shqiptare çuan në tregjet e huaja mallra me vlerë vetëm 28 miliardë lekë nga mbi 30 miliardë nëntorin e 2024.

Marrë që nga fillimi i vitit, rezulton se kompanitë shqiptare kanë shitur 24 miliardë lekë më pak mallra në tregjet e huaja, shkruan A2.

Me kursin aktual të këmbimit, humbjet përllogariten në rreth 250 milionë euro.

Zef Preçi, ekspert për ekonominë, thotë: “Efektet nga “superleku” po vijojnë duke mbajtur në krizë eksportet shqiptare. Duhet kohë e gjatë për të dalë nga kjo situatë. Nga ana tjetër, turizmi nuk po i jep hov prodhimit vendas, duke bërë që eksportet e këtyre kategori produktesh të tkurren”.

Rënia më e fortë e eksporteve në nëntor rezulton te eksportet e makinerive dhe pjesëve ë këmbimit me 1.5%. Duke ndjekur trajektore gati të njëjtë për të nëntë muajt e këtij viti, eksporteve e ushqimeve dhe pijeve u rritën me vetëm 1.1 për qind.

Po ashtu, në tregjet e huaja muajin e shkuar u shitën edhe më pak veshje këpucë duke theksuar “krizën e fasonit”.

“Unë besoj se kriza vijon dhe prilli nuk duhet konsideruar si periudhë relaksi. Qeveria duhet të ndihmojë eksportuesit. Janë motori ekonomik i ekonomisë dhe falimenti i tyre është lajm i keq për të gjithë”, deklaron Preçi.

Pavarësisht turistëve jashtë-sezonalë, në nëntor u importuan më pak produkte nga jashtë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në muajin e shkuar u blenë nga jashtë produkte me vlerë më pak se 71 miliardë lekë, gati 2 miliardë më pak se një vit më parë. Marrë në harkun e 9 muajve, importet janë tkurrur me 8 miliardë lekë.

Zef Preçi shprehet: “Që të themi se kemi më shumë prodhim vendas nuk mundemi pasi do të kishim edhe më shumë eksporte. Thjesht tregon se konsumi ka mbetur në vendnumëro”.

Rënia më e madhe e eksporteve këtë vit u regjistrua me Kosovën dhe Italinë. Eksportet u zgjeruan ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Spanjën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos