AKSHI-t i hiqen tenderët, nisma e deputetit socialist miratohet me 74 vota në Parlament

Nga Marjo Brakaj
20 Shkurt 2026, 15:46 | Ekonomi

“74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim. Miratohet projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike”. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të zhvillojë më tenderë, shkruan A2 CNN. Sipas ligjit të miratuar, të depozituar në Kuvend nga deputeti socialist, Erjon Malaj, Agjencia që administron infrastrukturën digjitale shtetërore nuk do të kryejë më prokurime dhe lidhje të kontratave për mirëmbajtjen e platformave, duke ia transferuar këtë detyrë një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.

Ndryshimet e propozuara nga deputeti Malaj mbërritën në Kuvend me mbështetjen dhe konsultimin paraprak të AKSHI-it dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, siç u pranua në komision nga përfaqësues të këtyre institucioneve.

Në dispozitat e reja, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.

Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.

Deputetët e opozitës e kundërshtuan projektligjin dhe e konsideruan atë si të nxitur nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, që zbuluan ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetëra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit.

Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj gjendet në “arrest shtëpie” për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas bzinesmenit Ergys Agasi dhe disa personave të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos