“Libri i Bardhë 2025-2029”, i shoqatës së Investitorëve të Huaj, vjen ngjyrë “gri” dhe me nota të shumta kritike për ekonominë shqiptare. Vlerësimi për klimën e të bërit biznes në vend u përkeqësua me 4 pikë krahasuar me vitin 2024, duke rënë në vetëm 45 nga 100 pikë të mundshme.
“Nga perspektiva makroekonomike, bizneset theksuan se zhvlerësimi i euros dhe inflacioni i lartë janë faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në operacionet e tyre. Tensionet gjeopolitike globale dhe rreziqet në zinxhirin e furnizimit vazhdojnë të ndikojnë në planifikimin e biznesit dhe vendimet për investime. Në këtë kontekst, investitorët e huaj theksojnë nevojën për parashikueshmëri më të madhe ekonomike, komunikim më të qartë dhe politika më të qëndrueshme nga autoritetet publike”, deklaron FIAA.
Investitorët e huaj u shprehën optimistë ndërkohë për situatën ekonomike duke e vlerësuar atë me 56 pikë nga 100 të mundshme. Në raport me vitin 2024, treguesi u përmirësua me 7 pikë. Megjithatë sfidat që lidhen me mirëqeverisjen vijojnë të mbeten problematike.

“Sfidat e lidhura me qeverisjen vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet më të rëndësishme për investitorët e huaj. Korrupsioni mbetet një pengesë kryesore. Megjithëse niveli i informalitetit që përjetojnë bizneset ka rënë me 5 pikë, ai mbetet i lartë. Sfida të vazhdueshme të lidhura me regjistrimin e pronës, vonesat gjyqësore dhe mungesën e llogaridhënies institucionale vazhdojnë të ndikojnë në besimin e investitorëve. Klima politike perceptohet pak më e përmirësuar. Në aspektin pozitiv, dimensioni i rendit dhe sigurisë ka shënuar përmirësimin më të madh”, thotë FIAA.
Megjithatë përfaqësuesit e kompanive të huaja u shprehën shumë të shqetësuar në drejtim të gjetjes së fuqisë punëtore të kualifikuar.
“Tregu i punës mbetet ndër zonat me performancën më të dobët sipas investitorëve të huaj. Aksesimi i fuqisë punëtore lokale të kualifikuar gjithashtu ka rënë pak. Mungesa e thellë e punonjësve të kualifikuar, e shkaktuar kryesisht nga emigracioni dhe mos-përputhja e aftësive, vazhdon të ushtrojë presion mbi bizneset dhe kufizon potencialin e rritjes. Këto gjetje theksojnë rëndësinë e forcimit të arsimit profesional, përshtatjes së zhvillimit të aftësive me nevojat e tregut të punës dhe implementimit të strategjive efektive për mbajtjen e talentit”, deklaron FIAA.

Pavarësisht përmirësimit të disa treguesve, sipas Shoqatës së Investitorëve të Huaj klima e të bërit biznes vijon të jetë problematike për shkak të sistemit gjyqësor, mungesës së transparencës nga qeveria, pamundësia për forcë punëtore, legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore.
(A2 Televizion)