
Parlamenti zgjodhi mbrëmë edhe 4 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa (74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim), Holta Zaçaj (72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim), Ervin Mete (74 vota pro, 17 kundër dhe 0 abstenim) dhe Jonida Prifti (73 vota pro, 18 kundër dhe 0 abstenim). Xhepa e Zaçaj ishin të propozuar nga Kuvendi, ndërsa Mete e Prifti nga qeveria. Emri tjetër i propozuar nga Kuvendi, Matilda Shehu, do të votohet në një seancë tjetër plenare, sipas kërkesës së Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar, shkruan A2 CNN.
Gjithashtu u miratuan me 74 vota pro, 16 kundër dhe 0 abstenim ndryshimet në ligjin që prek AKSHI-n. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të zhvillojë më tendera. Prokurimet publike propozohet të realizohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Nisma ligjore lejon që AKSHI të krijojë shoqëri aksionere, ku shteti duhet të ketë gjithmonë jo më pak se 51% të aksioneve.
Projektligjet e propozuara nga Jorida Tabaku “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për statusin e minatorit”, u rrëzuan. (A2 Televizion)