Nga “Rruga Egnatia” në “Korridorin 8”, plani për lidhjen e Lindjes me Perëndimin bën ndalesë në Tiranë

Nga Marjo Brakaj
18 Shkurt 2026, 17:22 | Ekonomi

Nga “Rruga Egnatia” në “Korridorin 8”, plani

Nga “Rruga Egnatia” më shumë se 2 mijë vite më parë në “Korridori 8” sot... plani amerikan për një ndërlidhje të Lindjes me Perëndimin ndërmjet shteteve të Ballkanit po merr jetë.

“Në territorin e Ilirisë gjatë shek. I p.e.s., në kohën e ekspeditave ushtarake romake, rruga Egnatia ka luajtur një rol të rëndësishëm, veçanërisht në luftimet ndërmjet Çezarit e Pompeut në mesin e shek. I p.e.s. Romakët në vendet e pushtuara, gjatë ndërtimeve të tyre sidomos në ndërtimet rrugore shfrytëzuan rrugët ekzistuese. Kështu ndodhi konkretisht dhe me rrugën e rëndësishme Egnatia, e cila kaloi në trasenë e rrugës pararomake të Kandavisë me drejtim po luginën e Shkumbinit, që në periudhën qytetare ilire kontrollohej nga disa vendbanime të fortifikuara”, Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë.

Projekti që nis nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit duke vijuar në ato shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve Tiranë, Shkup, Sofje përfundon në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi u ri-klasifikua si pjesë e Rrjetit kryesor Europian të Transportit rreth 5 vite më parë

“Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti, dhe më lejoni që ta them me bindje se është një instrument kyç për integrimin evropian, për zhvillimin ekonomik dhe për forcimin e stabilitetit rajonal. Kjo pasi në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të rikonfigurimit të prioriteteve strategjike të Europës, ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, si garanci për sigurinë, dhe patjetër si themel për prosperitet të përbashkët”, deklaroi Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Në Tiranë u mbajt Forumi Ekonomik, i cili u zhvillua në kuadër të Ministerialit me temë: “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: lidhshmëria, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”.

“Ne të gjithë kemi përgjegjësi që çdo projekt infrastrukturor të respektojë standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit. Investimi në hekurudha është një hap drejt transportit më të pasur dhe reduktimit të emetimeve, planifikimit më modern, që duhet të minimizojë ndikimin në biodiversitet dhe zonat e mbrojtura”, theksoi Natasha Ahmetaj, Zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë.

Korridori VIII shtrihet afërsisht në 154 kilometër në territorin shqiptar, duke nisur me lidhjet rrugore nga Porti Durrësit te aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë e për të dalë në Maqedoninë e Veriut. Ai kryqëzohet me korridorin tjetër, atë Adriatiko-Jonian. 

“Ky projekt forcon lidhet mes vendeve tona dhe krijon një rrjet më të fortë bashkëpunimi rajonal. Ai afron qytetet tona duke shkurtuar kohën, duke i bërë ato më të afërta për biznes, turizëm dhe bashkëpunim kulturor. Lëvizshmëria nuk është vetëm fizike, ajo është edhe politike, ekonomike dhe shoqërore, sa më të lidhur të jemi aq më të fortë bëhemi”, u shpreh Muhamet Hoxha, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor RMV.

Pak ditë më parë , Korridori VIII u përfshi zyrtarisht në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos