Veç pronave, në skemën e sigurimit të detyrueshëm nga përmbytjet pritet të përfshihen edhe fermat dhe tokat bujqësore. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po ndihmohet nga qeveria turke për hartimin e skemës së re.
“Kjo skemë është një hap i rëndësishëm për të rritur sigurinë ekonomike të fermerëve dhe për të ulur pasojat që sjellin fatkeqësitë natyrore. Nëse ndërtohet me standarde të qarta dhe me mbështetje të duhur, mund të jetë një mekanizëm real mbrojtës për bujqësinë”, u shpreh për A2 CNN Agim Rrapaj, Kryetar i KASH.
“Problemi është se këto skema zakonisht prezantohen si zgjidhje, por në praktikë përfundojnë si një detyrim i ri financiar për fermerët. Nëse nuk ka subvencionim real dhe transparencë për mënyrën si do të funksionojë kompensimi, rrezikon të jetë thjesht një pagesë tjetër pa garanci konkrete”, tha për A2 CNN Esmeralda Ballesha, eksperte e bujqësisë.
Sigurimi i detyrueshëm ndaj përmbytjeve në bujqësi do të vlejë si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për shtetasit e huaj. Kontrata e sigurimit do të përmbajë emrin dhe të dhënat mbi pronën apo tokën e të siguruarit, datën e fillimit dhe mbarimit të policës së sigurimi, shumën dhe primin e sigurimit.
“Është e rëndësishme që skema të ketë rregulla të qarta për çdo kategori prone dhe aktiviteti bujqësor. Nëse përfshihen edhe të huajt dhe subjektet private, atëherë duhet një administrim korrekt dhe një sistem i besueshëm për verifikimin e dëmeve”, vijoi Rrapaj.
“Fakti që sigurimi do të jetë i detyrueshëm për të gjithë, nuk do të thotë automatikisht se do të jetë i drejtë. Nëse kontratat janë të komplikuara dhe procedurat burokratike, fermerët e vegjël do të përjashtohen praktikisht nga përfitimi, edhe pse do të paguajnë”, tha Ballesha në A2 CNN.
Në rast të përmbytjeve do të kompensohen dëmet materiale deri në një masë, por jo dëmtimet fizike apo humbjet e jetëve. Gjithashtu sendet brenda banesës nuk do mund të sigurohen dhe as humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar nuk do të kompensohen.
“Skema duhet të jetë realiste dhe e orientuar te kompensimi i dëmeve kryesore materiale që prek fermerin. Qëllimi është që të krijohet një mekanizëm sigurie, jo të premtohen mbulime që nuk mund të realizohen”, theksoi për A2 CNN Rrapaj.
“Përjashtimi i shumë elementëve nga kompensimi e bën skemën problematike. Nëse nuk mbulohen humbjet reale të fermerit, si ndërprerja e prodhimit apo dëmtimi i mjeteve të punës, atëherë sigurimi humbet kuptimin dhe mbetet thjesht formal”, u shpreh Ballesha.
Fondi për Sigurimin nga Përmbytjet në Bujqësi pritet të financohet nga primet e qytetarëve dhe bizneseve, komisionet nga risigurimi, të ardhurat nga investimet, mbështetja e buxhetit të shtetit, grante dhe donacione, si dhe të ardhura të tjera ligjore, duke siguruar mbulimin e rreziqeve natyrore dhe mbrojtjen e qytetarëve. (A2 Televizion)