Alarmi demografik në Shqipëri! Më pak foshnje, vdekjet tejkalojnë lindjet në shtatë qarqe

Nga Marjo Brakaj
11 Gusht 2026, 16:10 | Ekonomi

Në gjysmën e parë të vitit lindën 108 bebe më pak se në janar-qershor 2025. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 10 337 vitin e shkuar, numri i lindjeve ra në 10 229 në 6-mujorin janar-qershor.

“Në vitin 1990, por edhe në vitin 1992, Shqipëria kishte rreth 90 mijë lindje në vit. Sot nuk e kalon shifrën e 26 mijë lindjeve. Kjo tregon përmasën e ndryshimit që ka pësuar shoqëria shqiptare. Familjet janë më të vogla, çiftet po e shtyjnë gjithnjë e më shumë momentin e krijimit të familjes dhe vendimi për të pasur fëmijë ndikohet nga shumë faktorë ekonomikë e socialë”, thotë për A2 CNN Rustem Çelami, mjek gjinekolog.

Tirana është qarku me numrin më të lartë të bebe të ardhur në jetë, ndërsa Gjirokastra me atë më të ulët. Në shtatë qarqe të vendit pati më shumë vdekje se lindje deri në shtator.

“Është bërë shumë e vështirë për një familje të re që të marrë vendimin për të pasur fëmijë pa menduar gjatë për të ardhmen. Shpenzimet janë të shumta, nga shtëpia dhe ushqimet, deri te kujdesi për fëmijën, kopshti apo shkollimi. Edhe nëse dëshiron të kesh një familje më të madhe, në shumë raste kushtet ekonomike të detyrojnë të mendosh ndryshe. Mendoj se shumë të rinj sot e shtyjnë krijimin e familjes pikërisht sepse nuk ndihen të sigurt”, thonë qytetarët.

Në një realitet ku numri i të rinjve dhe i familjeve që zgjedhin të kenë fëmijë po tkurret, nevoja për politika konkrete mbështetëse bëhet gjithnjë e më e madhe.

“Kur flasim për rënien e lindjeve, nuk duhet ta shohim këtë vetëm si një zgjedhje individuale të çifteve. Është një fenomen që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si është organizuar shoqëria dhe me kushtet në të cilat jetojnë familjet e reja. Një çift që përballet me pasiguri në punësim, kosto të larta të jetesës, vështirësi për të siguruar një banesë dhe mungesë të shërbimeve të mjaftueshme për fëmijët, natyrshëm e mendon më gjatë vendimin për të pasur një fëmijë. Prandaj, në këto kushte, roli i shtetit bëhet më i rëndësishëm se kurrë”, thotë për A2 CNN sociologia Eris Dhamo.

Me vdekjet që tejkaluan lindjet, Shqipëria regjistroi një shtesë natyrore negative të popullsisë... 150 humbje jetë më tepër se bebe të ardhura në jetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos