Kryesisht nga fëmijët në Greqi e Itali, emigrantët dërguan 532 milionë euro deri në qershor

Nga A2 CNN
10 Shtator 2025, 16:42 | Ekonomi

Kryesisht nga fëmijët dhe të afërmit në Greqi, Itali e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ata në Gjermani, Francë apo Belgjikë.

Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre gati 532 milionë euro në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat nga Bankës e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat janë rritur me 21.7 milion euro apo 4.3 për qind.

“Kemi një inflacion ende prezent në vend gjë që sjell kërkesë mbi ekzistencën dhe varësin a grupeve vulnerabël ndaj remitancave”, shprehet sociologia Binjaku.

Sipas Bankës Botërore janë gati 174 mijë familje shqiptare apo 23 për qind e totalit që varen pjesërisht ose tërësisht nga paratë që iu dërgojnë të afërmit nga jashtë. Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat.

“Nëse po prapë do t’iu referohemi shifrave të INSTAT, atëherë do të kuptojmë se paratë nga remitancat shkojnë për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për argëtim apo luks”, shton Binjaku.

Me gjithë shifrat e rritura, për shkak të zhvlerësimit të euros familjet shqiptare kanë pasur më pak lekë në duar. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë humbja e familjeve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të valutës europiane përllogaritet në rreth 5 për qind krahasuar me një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos