Paga mesatare në vend arriti në gati 84 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ajo është rritur me 1 mijë 696 lekë krahasuar me tremujorin e parë dhe me 8 mijë e 792 lekë me një vit më parë.
Kontributin kryesor në këtë rritje rezulton ta ketë dhënë administrata publike. Rritja më e madhe e pagës, ishte në profesionin e Forcave të armatosura dhe Specialistë me arsim të lartë, me një rritje përkatësisht prej 23.2 për qind dhe 13.6 për qind.
“Ajo që po ndodh është kjo: Nga njëra anë ne kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave dhe pjesën më të madhe të shoqërisë që ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është hiçgjë. Do ta përmblidhja si “shumë zhurmë për hiçgjë”, shprehet Klajdi Bregu.
Zhurma më e madhe se të hollat po hyjnë në xhepa pohohet edhe nga Alberta, një re e punësuar që shpreson në pasjen e një page 900 euro.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se veçse anemike, rritja e pagës mesatare po shoqërohet nga një thellim i hendekut mes profesioneve të ndryshme. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gati gjysma e të punësuarve në vend kanë paga nga 40 mijë e deri në 95 mijë lekë bruto. Duke i hequr sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësor, ato që individ merr nuk e kalojnë vlerën e 76 mijë lekëve.
“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu sot tregu i punës po vuaj për punonjës ndaj rriten pagat. Po këto hendeqe veç shtetit dhe privatit nuk i bëjnë mirë tregut”, shprehet Emian Muçaj.
Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare në tremujorin e dytë të vitit ishin menaxherë, ligjvënës, drejtorë ekzekutivë dhe specialistë me arsim të lartë. (A2 Televizion)